Boris Johnson, Kryeministri që i theu të gjitha rregullat

Boris Johnson ka rezistuar t’iu bindet rregullave normale të politikës për kaq shumë kohë, sa që është e vështirë të besohet se ai në të vërtetë po largohet, shkruan BBC 

Skandalet që do të kishin fundosur politikanë të tjerë dukej se nuk kishin asnjë efekt mbi të. Ai ishte gjithmonë në gjendje të rikthehej. Gafat dhe gabimet e tij u bënë pjesë e brendit të tij.

Në një epokë politikanësh të bajatshëm, mekanikë, ai shihej si një “personazh”, flokët e tij të shprishura e të verdhë dhe personaliteti i tij turbullt ishte i dallueshëm menjëherë edhe nga ata që nuk kanë interes për politikën. Imazhi i tij argëtues e i dashur, pamëshirshëm optimist, bashkë me aftësitë e jashtëzakonshme të fushatës, e ndihmoi atë të arrinte pjesë të elektoratit që konservatorët më konvencionalë nuk mundën.

Ai fitoi dy mandate si kryebashkiak i Londrës – që zakonisht është një bastion i laburistëve – dhe ndihmoi të bindë miliona britanikë që të mbështesin Brexit-in në referendumin e BE-së të vitit 2016.

Ai u bë kryeministër në korrik të vitit 2019 pa zgjedhje – por katër muaj më vonë siguroi një fitore historike dërrmuese, duke fituar ulëse edhe nga disa pjesë të vendit që nuk kishin votuar kurrë më parë për konservatorët. Derisa erdhi viti 2020, dominimi i tij në politikën britanike dukej se u kompletua. Por më pas erdhi koronavirusi.

Një pandemi globale do të testonte secilin udhëheqës dhe qeveria e Johnsonit bëri pjesën e saj të gabimeve meqë Britania e Madhe në një pikë pati shifrën më të madhe të vdekjeve në botën e zhvilluar.

Por, në fund, nuk ishte manovrimi i tij me koronavirusin që e çoi te rënia e tij. Përkundrazi, ishin pyetjet e ngritura për karakterin dhe aftësinë e tij për poste të larta.

Për disa vëzhgues të gjatë të karrierës së Johnsonit, kjo nuk ishte befasi. Në një artikull për Observer, ish-shefi i tij në Daily Telegraph, Sir Max Hastings parashikoi se një post i kryeministrit për Johnsonin “me shumë gjasë do të zbulonte përbuzjen për rregullat, precedentin, rendin dhe stabilitetin”.

Që nga ditët e tij të hershme, Alexander Boris de Pfeffel Johnson kishte një tendencë të besonte se rregullat ishin për njerëzit e tjerë.

“Boris ndonjëherë dukej i ofenduar kur kritikohej për atë që konsiderohet një dështim i rëndë i përgjegjësisë”, shkroi mësuesi i tij Martin Hammond për Borisin 17-vjeçar.

“Unë mendoj se ai sinqerisht beson se ishte mënyrë e ashpër prej nesh që të mos e konsiderojmë atë si përjashtim, një njeri që duhet të jetë i lirë nga rrjeti i detyrimeve që obligon të gjithë të tjerët.”

Megjithatë, besimi i tij i palëkundur në vetvete la një përshtypje.

“Karizma e Borisit edhe atëherë ishte jashtë të zakonshmës, kaq qesharake, e ngrohtë, simpatike, vetëpërçmuese”, kishte thënë Simon Veksner, një shok shkolle, autorit Simon Kuper në librin e tij të fundit.

Ai fitoi një bursë për Eton, ndoshta shkolla private më prestigjioze e Anglisë, ku zbuloi një dashuri për klasikët dhe filloi të zhvillonte karakterin që do të bëhej kaq i njohur në jetën e tij të mëvonshme.

Pasoi Universiteti i Oksfordit, ku ai përmbushi ambicien e tij për t’u bërë president i sindikatës – një shoqëri debatuese që daton që nga viti 1823 dhe një terren i mirënjohur i trajnimit për politikanët konservatorë. Ai u bashkua gjithashtu me klubin famëkeq Bullingdon, i cili njihej për anëtarët e tij të dehur dhe të trazuar, ku bënte edhe kryeministri tjetër David Cameron.

Ai e la Oksfordin dhe u punësua si gazetar praktikant në gazetën Times, por humbi punën pasi falsifikoi një citat – incident që ai më vonë do ta përshkruante si gabimin më të madh. Megjithatë, ky incident doli të ishte një pengesë e vogël meqë në vitin 1988 atij iu dha punë nga redaktori i atëhershëm i Daily Telegraph, Max Hastings.

Si korrespondent i Telegrafit në Bruksel, Johnson u përpoq të tallte rregulloret e miratuara nga Komisioni Europian – megjithëse shumë nga kolegët e tij gazetarë në Bruksel mendonin se storiet e tij ishin të ekzagjeruara dhe në disa raste thjesht të pavërteta.

“Ishte sikur t’iu mëshosh këtyre gurëve për murin e kopshtit dhe të dëgjosh një përplasje të mahnitshme në vendin fqinj, Angli. Gjithçka që shkrova në Bruksel kishte një këtë efekt eksploziv në Partinë Konservatore – kjo vërtet më dha një ndjenjë të çuditshme të fuqisë”, kishte thënë Johnson për BBC-në në vitin 2005.

Prapë se prapë, fatkeqësia u shfaq përsëri kur doli në publik një telefonatë në mes të Johnsonit dhe një shoku të tij të vjetër nga Oxfordi, Darius Guppy, i cili kishte kërkuar adresën private të një gazetari të News of the World.

Telefonata e incizuar thoshte se Johnson kishte pranuar t’i jepte detajet për gazetarin, edhe pse Guppy, i cili më vonë u burgos për mashtrim, i kishte treguar se donte të rrihte gazetarin, i cili kishte hetuar çështjet e tij.

Hastings u përball me të në lidhje me këtë publikim, i cili ishte dërguar në mënyrë anonime në Telegraf, por pas një kërkimfaljeje të Johnsonit, sipas fjalëve të Hastings, “me të gjitha aftësitë e tij vetë-parodike ai u kthye në Bruksel me një qortim”.

“Më falni, Liverpool”

Në vitin 1999, ai u bë redaktor i revistës që kishte ndikim në krahun e djathtë “Spectator” dhe dy vjet më vonë më në fund arriti të përmbushë ambicien e tij për të hyrë në Parlament.

Me konservatorët që atëherë lëngonin në opozitë, lideri i atëhershëm i partisë Michael Hoëard ishte i prirur të shfrytëzonte fuqinë e deputetit yll të ri për Henley, në Oxfordshire.

Por karriera e Johnsonit si yll i grupit ishte jetëshkurtër.

Në vitin 2004, Hoëard e urdhëroi atë t’i kërkojë falje gjithë Liverpool-it për një artikull te Spectator që ia kishte atribuar disa nga fajet për një fatkeqësi sjelljes së tifozëve të futbollit të qytetit. Ai i mbijetoi “Operation Scouse Grovel”, siç e quajti ai vetë, për t’u shkarkuar më pas nga Hoëard një muaj më vonë për gënjeshtrat në lidhje me pretendimet se kishte pasur një lidhje me gazetaren Petronella Ëyatt.

Brenda një viti ai u rikthye në vëmendje nën udhëheqjen e re të liderit të partisë, David Cameron. Por ai shihej gjithnjë e më shumë si humorist dhe personazh televiziv, sesa një kandidat serioz për pushtet.

Atij iu desh të priste deri në vitin 2007 për t’iu krijuar një mundësi që të ngjiste shkallët, kur një Cameron disi i trembur e përzgjodhi atë si kandidat nga konzervatorët për kryetar të Londrës. Johnson i befasoi të gjithë kur fitoi bindshëm ndaj Ken Livingstone të laburistëve, i cili dukej i pamposhtur. Ndërkaq, zgjedhjet i fitoi edhe katër vjet më vonë.

Si kryetar, Johnson hoqi nga përdorimi “autobusët karakteristikë” të Londrës për të implementuar një skemë me biçikleta (të njohura nga londinezët si “Boris bikes”) dhe mbikëqyri marrëveshjet për Lojërat Olimpike të Londrës 2012 – duke çuar në një nga imazhet më famëkeqe të karrierës së tij politike.

Në fillim të vitit 2016, ai u kthye në Parlament si deputet, me synimet që tashmë i kishte vendosur për detyrën kryesore dhe një dilemë të madhe. Vendimi i David Cameron që të mbahej një referendum për BE-në ishte një moment përcaktues për vendin, por edhe për miqtë dhe rivalët e vjetër.

Vendimi i Johnson – pas shumë mundimeve – për të bashkuar forcat me fushatën pro-Brexit ishte një goditje e rëndë ndaj shpresave që Cameron kishte për të mbajtur Mbretërinë e Bashkuar në BE. Por kjo u pa si një moment që ndryshon lojën nga fushata pro-Brexit, e drejtuar nga strategu i ashpër Dominic Cummings, një njeri që Cameron dikur e kishte hedhur poshtë si një “psikopat karriere”.

Johnson përdori të gjitha aftësitë e tij të frikshme të fushatës, megjithëse ai u kritikua rëndë për pretendimin se Mbretëria e Bashkuar i dërgonte BE-së 350 milionë funta në javë, e cila nuk merrte parasysh rëniet në Mbretëri të Bashkuar.

Vrasje politike

Kur pala e tij doli fitimtare, ishte e pashmangshme që Johnson të hidhte kapelën e tij në ring për të zëvendësuar David Cameron në largim si udhëheqës dhe kryeministër konservator.

Megjithatë, fushata e tij u dëmtua në mënyrë dramatike kur kolegu dhe miku i ngushtë Michael Gove tërhoqi mbështetjen dhe vendosi të kandidonte vetë për të udhëhequr, duke thënë se Johnson nuk ishte në atë nivel për të kryer detyrën e kryeministrit. Ishte një vrasje brutale politike, e cila u prit me shqetësim nga mbështetësit e Johnsonit.

Jo për herë të parë, por ai po mendonte fundin e karrierës së tij politike. Megjithatë, Theresa May, fituesja eventuale, emëroi Johnsonin si sekretar të jashtëm.

Kundërshtarët e tij u hodhën në terrenin e arkivave për gafat dhe mospërfilljet e së kaluarës, të cilat përfshinin një artikull gazete të vitit 2007 që përshkruante Sekretaren e atëhershme të Shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton, si një “infermiere sadiste në një spital mendor”. Ai ishte detyruar gjithashtu t’i kërkonte falje Papua Guinesë së Re për një referencë për “orgjitë e kanibalizmit dhe vrasjes së shefave” dhe për më tepër ai kishte kërkuar falje për përdorimin e një sharje me bazë rasite kur kishte shkruar për turneun e Mbretëreshës në vendet e Commonwealth-it.

Gjatë qëndrimit të tij në Ministrinë e Jashtme, Johnson mbështeti një linjë të ashpër kundër Rusisë dhe dëboi 23 diplomatë pas helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal. Ai gjithashtu u kritikua kur gabimisht tha se Nazanin Zaghari-Ratcliffe, punonjëse e ndihmës, e burgosur në Iran, kishte punuar si gazetare.

Në vitin 2018, ai u largua nga kabineti në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së Brexit-it të Theresa May, duke argumentuar se kjo do ta çonte Britaninë në “statusin e një kolonie”. Ai u rikthye në punën e tij të mëparshme, shumë të paguar, si kolumnist për Daily Telegraph, duke u përballur menjëherë me polemika dhe akuza për islamofobinë pasi shkroi se gratë myslimane të veshura me burka “duken si kuti letrash”.

Ai mbeti kritik i ashpër i May nga bankat e pasme edhe kur ajo u detyrua të jepte dorëheqje, ai përsëri kandidoi për lider të partisë së tij. Këtë herë ai ishte i suksesshëm, duke krijuar një zinxhir komandues, jo vetëm me anëtarët e Partisë Konservatore – me të cilët ai kishte qenë gjithmonë i popullarizuar – por, në mënyrë kritike, me deputetët konservatorë.

Muajt e tij të parë në këtë rol rezultuan të vështira, pasi ai u përpoq të qeveriste me shumicën e vogël të partisë së tij në fillim në House of Commons.

Ai rekrutoi Dominic Cummings – i parë me dyshim dhe si një një ngatërrestar nga shumë konservatorë – si ndihmësi i tij më i afërt në Doëning Street. Me urdhër të Cummings, ai zhvilloi një luftë guerile kundër atyre deputetëve që kërkonin të bllokonin strategjinë e tij të Brexit-it, duke përfshirë disa anëtarë të profilit të lartë të partisë së tij.

‘Përfundoje Brexit-in’

Në një veprim të guximshëm, por edhe shumë të diskutueshëm, i cili më vonë u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Lartë, ai u përpoq të shtynte, ose pezullonte Parlamentin, meqë përpjekjet e tij për të shtyrë përpara një marrëveshje të Brexit-it dështuan përpara afatit të tij, më 31 tetor 2019.

Pas dy përpjekjeve të dështuara që t’ua mbushë mendjen deputetëve të votojnë për zgjedhjet e përgjithshme, ai më në fund, në dhjetor të 2019-ës, shkoi duke premtuar  “Get Brexit Done”, një slogan i ëndërruar nga Cummings.

Kjo u shpërblye dhe ai u rikthye në pushtet me shumicën më të madhe konservatore që nga lulëzimi i Margaret Thatcher në vitet 1980. Marrëveshja e tij për Brexit u miratua dhe më 31 janar 2020 Britania e Madhe u largua nga BE.

Dukej sikur negocimi i një marrëveshjeje tregtare me BE-në do të ishte detyra e parë kryesore e qeverisë së tij – dhe qëndrueshmëria e Brexit-it trashëgimi e tij. Por, brenda javësh, ai u përfshi nga një krizë gjithëpërfshirëse që pakkush – më së paku Johnson – e kishte parashikuar se do të vinte: pandemia e koronavirusit.

Në një deklaratë dramatike televizive, ai njoftoi një mbyllje totale për gjithë vendin, një masë e paprecedentë në kohë paqeje. Liberiani i vetëshpallur dhe kampioni i tregut të lirë tani po urdhëronte kombin e tij të qëndronte në shtëpitë e tyre, duke mbyllur një pjesë të madhe të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe duke premtuar se do të shpenzonte miliarda për subvencionimin e pagave të punëtorëve të larguar nga puna.

Në prill të vitit 2020, Johnson rezultoi pozitiv me Covid dhe kaloi tre net në kujdes intensiv. Më pak se tre javë më vonë, e fejuara e tij Carrie Symonds lindi fëmijën e tyre të parë, të quajtur Wilfred Lawrie Nicholas Johnson – Nicholas në shenjë nderimi për mjekët që e kishin trajtuar atë në spital.

Kryeministri dy herë i divorcuar u martua me Symonds në Katedralen Ëestminster në fund të majit të 2020-ës. Vajza e tyre Romy lindi në dhjetor 2021.

Symonds ishte një figurë, e cila në prapaskenë ishte e lidhur me Partinë Konservatore dhe ndikimi i saj u kundërshtua nga Cummings dhe ekipi i tij i ngushtë i ish-zyrtarëve të Vote Leave, të cilët tani ishin në zemër të punës në Doëning Street.

Ndërsa Mbretëria e Bashkuar doli nga pandemia, Johnson përgëzoi suksesin e shpërndarjes së vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ishte më e shpejta në botën e zhvilluar, duke ndihmuar ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar të rihapet më herët se shumica. Edhe papunësia masive e parashikuar nga shumëkush ishte shmangur.

Por problemet e tij politike kishin filluar të rriteshin.

Në maj të vitit 2020, ai kishte mbajtur anën e Dominic Cummings kur u sulmua për shkak të një udhëtimi në Qarkun Durham kur s’ishte e lejuar. Por, Cummings u detyrua të largohej nga Downing Street në fund të atij viti pasi humbi një betejë për pushtet me Carrie Symonds dhe tashmë u shfaq i vendosur për ta hequr atë nga detyra. Në një paraqitje të zjarrtë para një komiteti të përzgjedhur, Cummings tha se Johnson ishte “i papërshtatshëm për punën” e kryeministrit dhe se mijëra njerëz kishin vdekur pa nevojë, sepse ai kishte vonuar që të vendoste masat e mbylljes dhe kishte injoruar këshillat shkencore.

Johnson ishte gjithashtu duke u hetuar për një rinovim të shtrenjtë të banesës në Doëning Street ku ai jetonte me familjen e tij, e cila fillimisht u pagua nga një donator konservator. Ai u lirua përfundimisht nga këshilltari i tij i etikës, Lord Geidt, por bashkëmoshatari më vonë e qortoi shefin e tij për respekt “të pamjaftueshëm” për rolin e tij, pasi dolën në dritë informacione të reja që nuk ishin zbuluar në hetimin e tij. Lord Geidt më vonë do të hiqte dorë nga roli, i zemëruar nga qëndrimi i kryeministrit ndaj standardeve ministrore.

Kundërshtarët politikë të Johnsonit, të cilët nuk kishin qenë në gjendje t’i vendosnin doreza në kulmin e pandemisë, tani po bënin të suprizuarin me akuza për ngërç dhe në anën tjetër një kryeministër që dukej shpërfillës dhe kavalier për sjelljen ndaj rregullave të vendosura prej kohësh. Përshtypja për këto sjellje nuk u ndihmua as nga përpjekja e Johnsonit për të rishkruar kodin disiplinor për deputetët për të ndihmuar aleatin e tij Oëen Paterson, i cili po përballej me pezullimin për shkeljen e rregullave të lobimit. Johnson më vonë pranoi se ky kishte qenë një “gabim total”.

Por më e keqja do të vinte në nëntor të vitit 2021, kur Daily Mirror që mbështet laburistët akuzoi Johnsonin për thyerjen e rregullave të Covidit, duke marrë pjesë në ahengje në Doëning Street kur mbajtja e ahengjeve të tilla në ambiente të mbyllura ishte e ndaluar. Një bombë tjetër erdhi më vonë  kur u shfaqën pamjet e stafit të Doëning Street duke qeshur dhe duke bërë shaka për mbajtjen e një feste Krishtlindjesh.

Më pas Daily Telegraph zbuloi se stafi i Doëning Street kishte mbajtur festa të mbushura me pije alkoolike një natë përpara funeralit të Dukës së Edinburgut. Johnson më vonë i kërkoi falje Mbretëreshës.

Johnson, kancelarja e tij e atëhershme Rishi Sunak dhe Carrie Johnson ishin ndër ata që u gjobitën nga policia për festat e mbajtura gjatë masave.

Johnson bëri çmos që të dukej i penduar në publik, duke u thënë deputetëve se kishte marrë mësime dhe ai vazhdoi të këmbëngulte se nuk i kishte thyer me qëllim rregullat e Covidit.

Ai u përball me një hetim nëse ai kishte mashtruar Parlamentin me pretendimet e tij fillestare se nuk kishte pasur festë në Doëning Street.

Kabineti u mblodh për kryeministrin, por një grup konservatorësh, në rritje të vazhdueshme, nga krahë të ndryshëm të partisë, kishin arritur në përfundimin se ai duhej të largohej, mes zemërimit në rritje të publikut.

Ai i mbijetoi një mocioni mosbesimi në qershor të vitit 2022, pavarësisht se 41% e deputetëve të tij votuan kundër tij. Por një varg humbjesh në zgjedhjet e brendshme i bëri deputetët të frikësoheshin se ai ishte kthyer në një humbës të elektoratit. Magjia e vjetër, dukej se nuk po funksiononte më.

Pika e fundit për shumë deputetë ishte kur ministrat u vendosën për të mbrojtur kryeministrin për një deputet që përballej me akuza për sjellje të pahijshme seksuale, të mbushur me informacione mashtruese nga Doëning Street.

Një largim masiv i ministrave, përfshirë kancelarin Rishi Sunak, pasoi dhe pas 48 orësh kundërshtimi, në të cilat ai vazhdimisht u zotua të “vazhdonte punën” e qeverisjes, më në fund u detyrua të përballet me realitetin.

Karriera e një politikani që kishte sfiduar gravitetin politik për gati katër dekada, më në fund ka rënë në tokë.

Kategoritë
BotaLajme