Borrell: Arrihet marrëveshje për dokumentet midis Kosovës dhe Serbisë

Borrell ka shkruar se një gjë e tillë u arrit nga ndërmjetësimi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka deklaruar se është arritur marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve shtesë për hyrje/daljet e shtetasve serbë në Kosovë dhe shtetasve të Kosovës në Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Borrell në rrjetet sociale ka shkruar se një gjë e tillë u arrit nga ndërmjetësimi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne kemi nje marreveshje. Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë”, shkroi, Borrell duke nënvizuar se kjo është një e dyta e marrëveshjes.

Sot gjatë ditës, presidenti serb Aleksandаr Vuçiq në një konferencë për media, tha se pjesa e dytë e negocimit, lidhur me vendimin për legalizimin e targave që qarkullojnë në komunat me shumicë serbe në Kosovë në “RKS” është vështirë të zgjidhet.

Ai shtoi se çështja e targave të veturave është shumë më e ndërlikuar “sepse nuk ka marrëveshje që do t’u përshtatej shqiptarëve”.

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilluan këtë javë takime me udhëheqës të institucioneve në Kosovë dhe Serbi me qëllim të uljes së tensioneve të mundshme nga zbatimi i dy marrëveshjeve që planifikoheshin të zbatoheshin nga 1 shtatori.

Kategoritë
LajmeVendi