Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e ka akuzuar të martën Rusinë për nisje të kërcënimeve bërthamore “plotësisht të papërgjegjshme”, pasi presidenti rus, Vladimir Putin i ka rritur opsionet se kur mund të përdorë Moska armë bërthamore.
“Nuk është hera e parë që Putini luan lojën bërthamore”, ka thënë diplomati evropian në shkuarje, pas një takimi të mbajtur për të shënuar 1.000 ditë të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Rusia pajtohet me parimin që lufta bërthamore nuk mund të fitohet, prandaj nuk duhet të niset kurrë”, ka thënë ai, duke paralajmëruar që “secila thirrje për luftë bërthamore është e papërgjegjshme”.
Bisedimet brenda bllokut evropian – të dominuar nga nevoja për të rritur mbështetjen për luftën në Ukrainë – kanë ardhur teksa Kievi raportohet të ketë konfirmuar se ka përdorur armë amerikane me rreze të gjatë për të sulmuar territorin rus.
Rusia e ka quajtur këtë veprim si hyrje në “fazë të re” të luftës.
Borell është thënë t’iu ketë bërë presion vendeve anëtare që të jenë në linjë me politikat e Uashingtonit dhe t’ia mundësojnë Ukrainës sulmet me Rusi me armë me rreze të gjatë, dhe besohet se Franca është duke e shqyrtuar këtë mundësi.
Ai nuk ka folur për mediat nëse ka ndryshuar diçka në këtë drejtim, vetëm ka thënë se shumica pajtohen që “fati i Ukrainës do të përcaktojë rrugëtimin e BE-së”.
“Nëse Putin do të jetë i suksesshëm në Ukrainë, ne do të paguajmë faturë të lartë, shumë më të shtrenjtë sesa çdo lloj i mbështetjes ushtarake që mund të ofrojmë sot”, ka thënë ai.
Në takim ka marrë pjesë edhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, i cili ka paralajmëruar se Putinit nuk duhet t’i lejohet realizimi i synimeve në Ukrainë dhe ka bërë thirrje sërish që Evropa të avancojë industrinë e mbrojtjes.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.