Borrell kërkon nga Irani të ndalojë dërgesat e armëve për Rusinë

“Ne këmbëngulim që Irani të ndalojë furnizimin me armë për Rusinë. Irani e mohon këtë, por ukrainasit kanë siguruar prova të këtyre dronëve”, tha Borrell

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, i ka bërë thirrje Iranit që t’i japë fund mbështetjes ushtarake për Rusinë në luftën kundër Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne këmbëngulim që Irani të ndalojë furnizimin me armë për Rusinë. Irani e mohon këtë, por ukrainasit kanë siguruar prova të këtyre dronëve”, tha Borrell në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të G7-tës, që po mbahet në qytetin perëndimor gjerman Muenster.

Komentet e tij vijnë pas deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili më herët gjithashtu shprehu shqetësim për këtë çështje.

“Ne gjithashtu shohim se Irani po ofron dronë dhe po shqyrton furnizimin me raketa balistike për Rusinë. Kjo është e papranueshme. Asnjë vend nuk duhet të mbështesë Moskën në këtë luftë të paligjshme”, tha Stoltenberg.

Teherani, aleat i fortë i Moskës, deri më tani ka mohuar se po furnizon me armë Rusinë.

Irani është tronditur nga protesta që nga mesi i muajit shtator pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini gjatë kohës që ishte në paraburgim nga policia morale e vendit me dyshimin se ka shkelur kodin islamik të veshjes.

Kategoritë
BotaLajme