Borrell: Mirëpresim drejtimin strategjik të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian

Takimi i 12-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit kishte në fokus diskutimet mbi marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë, çështjet mbi marrëdhëniet dypalëshe sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe perspektivën evropianë të Shqipërisë.

Në Tiranë është mbajtur takimi i 12-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe BE-së, ndërkohë në fokus ishin diskutimet për disa çështje, raporton Anadolu.

Pjesë e takimit ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Përfaqësuesi i Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së dhe Shqipërisë, ndërsa në fund të tij u mbajt konferenca e përbashkët për mediat.

– “Po punojmë së bashku për integrimin evropian të Shqipërisë në të gjitha linjat”

Borrel tha gjatë konferencës se shohin dhe mirëpresin drejtimin strategjik të qartë të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe shtoi se po punojnë së bashku për integrimin evropian të Shqipërisë në të gjitha linjat.

“Sot është një mundësi dhe ditë e veçantë sepse faktikisht është hera e parë në historinë e marrëdhënieve tona midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që ne e mbajmë këtë Këshill të Stabilizim Asociimit në Tiranë. Me këtë, ne duam të japim një sinjal të fuqishëm politik për angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj rrugëtimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe e përdorim Këshillin e Stabilizim-Asociimit si ndërveprimin institucional më të rëndësishëm ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë”, tha Borrell.

Borrell shtoi se përmes këtyre takimeve marrin në konsideratë përparimin lidhur me përgatitjet për anëtarësimin në BE, dhe sipas tij mesazhi kryesor nga kjo mbledhje është angazhimi i patundur për integrimin evropian të Shqipërisë.

Duke folur për takimin e ardhshëm mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Borrell tha se shpreson që të shtunën të dyja palët të vijnë me një qasje konstruktive dhe me vullnetin për t’u angazhuar.

 Rama: Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënieje strategjike

Kryeministri Rama në fjalën e tij në konferencë tha se atmosfera e kësaj mbledhjeje ishte jashtëzakonisht pozitive.

“Kemi dakordësi të plotë në të gjithë boshtin e kësaj marrëdhënieje strategjike. Shqipëria sot nuk është më në fund të trenit të integrimit, por është në krye, në këtë rajon ku roli ynë vlerësohet si model në aspektin e promovimit të paqes, të dialogut dhe normalizimit”, u shpreh Rama.

Rama foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimit të BE-së në këtë proces, ku theksoi se Bashkimi Evropian në bashkëpunim me SHBA-në i kanë ofruar Kosovës dhe Serbisë, rajonit, gjeneratave të tjera një rrugë të re, një portë të hapur të së ardhmes në paqe dhe sipas tij “një kohë tjetër të nevojshme për të arritur në përmbylljen përfundimtare të procesit të njohjes reciproke”.

“Ne e shohim me admirim përpjekjen tuaj për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë, dokumenti i normalizimit i paraqitur prej jush është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama, duke iu drejtuar zyrtarëve të BE-së.

 Varhelyi: Ne duam që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur

Komisioneri Varhelyi theksoi se Evropa është e përkushtuar për ta pasur Ballkanin Perëndimor si përparësinë e vet gjeopolitike. “Për ne Ballkani është përparësi gjeopolitike. Kjo nënkupton se ne duam që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

Duke folur për procesin e reformave dhe integrimit evropian të Shqipërisë, Varhelyi tha se “Viti i kaluar ka qenë një vit mjaft i suksesshëm për Shqipërinë. Nisët konferencën e parë ndërqeveritare. Po kështu ramë dakord se nëse gjithçka shkon mirë ky vit mund të jetë edhe më i suksesshëm, sepse të dyja palët përfitojnë nga përparimi i bërë nga Shqipëria, të dyja palët përfitojnë nga ky progres sepse prej tij ne marrim një partner, një aleat, i cili jo vetëm punon me ne, por edhe integrohet me ne, qoftë në tregti, qoftë në shoqëri, qoftë në ekonomi apo qoftë në vlerat tona”.

Ai tha se sipas metodologjisë së re të zgjerimit, BE-ja duhet të jetë e gatshme që të mbajë premtimet e veta, sipas tij, kur premtimet nga ana e vendit kandidat janë mbajtur.

Varhelyi theksoi se Ballkani Perëndimor mund të shndërrohet në pikën e re hyrëse të energjisë për Evropën.

Takimi i 12-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit kishte në fokus diskutimet mbi marrëdhëniet midis BE-së dhe Shqipërisë në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit, çështjet mbi marrëdhëniet dypalëshe sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropianë të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, komisiomneri Varhelyi, ishte pjesë edhe e takimit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE), me temë: “Çfarë pritet nga Shqipëria gjatë procesit të negociatave me Bashkimin Evropian?”.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Borrell do të marrë pjesë në përurimin e restaurimit të një prej monumenteve kulturore në Durrës, financuar nga BE-ja, si dhe do të zhvillojë një takim me të rinjtë.

Kategoritë
LajmeRajoni