Borrell në Shkup: Ky është një vit kyç për eurointegrimet

Borrell theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE, pasi sipas tij, “vetëm të bashkuar do të mund t’u përballemi me sfidat e mjedisit të vështirë gjeopolitik”

Përfaqësuesit e lartë evropianë kanë bërë thirrje për arritjen e konsensusit të brendshëm politik në Maqedoninë e Veriut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.

Pas zhvillimit të takimit të 16-të të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i cili për herë të parë u mbajt në Shkup, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, mbajtën një konferencë të përbashkët në të cilën mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell tha se mbajtja e mbledhjes në Shkup, e jo në Bruksel, bëhet për të vlerësuar progresin e Maqedonisë së Veriut.

“Mbajtja e mbledhjes këtu sot, vërtet tregon se BE po ju afrohet dhe gjithashtu tregon se Ballkani Perëndimor janë dhe do të vazhdojnë të jenë prioritet kyç për BE-në dhe një pjesë e rëndësishme e dimensionit tonë gjeopolitik”, tha Borrell.

Ai u shpreh se me miratimin e kornizës negociuese në korrik të vitit të kaluar, dera për anëtarësim të plotë është hapur, duke shtuar se sot kishin rastin të shohin çfarë ka arritur Maqedonia e Veriut në aspekt të plotësimit të kritereve ekonomike dhe politike.

Borrell theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE, pasi sipas tij, “vetëm të bashkuar do të mund t’u përballemi me sfidat e mjedisit të vështirë gjeopolitik”.

Ai bëri thirrje për krijimin e kushteve për miratimin e amendamenteve kushtetuese që burojnë nga korniza negociuese, ku parashihet edhe inkuadrimi i bullgarëve në Kushtetutë si pakicë kombëtare.

“Ky vit është një vit kyç. Marrëveshja e korrikut është marrëveshja më e mirë që ju mund të fitoni dhe nuk është reale të besoni se kjo mund të rihapet për negociata të reja. Ardhmëria juaj në BE mbështetet në këtë bazë. Tani është koha që partitë politike të zbatojnë përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë seriozisht për të vazhduar në këtë rrugë”, tha Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së përshëndeti vendimet e Maqedonisë së Veriut për të miratuar sanksione ndaj Rusisë, ndërsa vlerësoi edhe rolin e vendit në arenën ndërkombëtare, duke përmendur edhe kryesimin me OSBE-në.

– Varhelyi: Duhet që qeveria dhe parlamenti të përshpejtojnë punën për procesin e reformave

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, tha se mbajtja e mbledhjes së Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit në Shkup është një sinjal shumë i fuqishëm politik nga BE kundrejt Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ky takim simbolizon që Maqedonia e Veriut do të jetë anëtare e BE-së.

Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme që vendi të mos ndalojë me reformat, por përkundrazi t’i përshpejtojë ato, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar.

“Ne kemi nevojë për unitet kombëtar për të çuar përpara anëtarësimin. Ne, natyrisht, do të vazhdojmë punën tonë nga ana jonë për të përshpejtuar bazën e procesit të negociatave. Nga ana jonë, ne jemi gati! Por, ne kemi nevojë që Maqedonia e Veriut të bëjë një hap të ngjashëm. Pra, që kjo të ndodhë, duhet që qeveria dhe parlamenti të përshpejtojnë punën për procesin e reformave”, tha Varhelyi.

– Kryeministri i Maqedonisë së Veriut beson në anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030

Në konferencën për media, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e vlerësoi takimin si të suksesshëm dhe historik, pasi është takimi i Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit që mbahet në Shkup.

Ai tha se së bashku me partnerët evropianë kanë bërë një reflektim të situatës dhe zbatimit të reformave.

“Republika e Maqedonisë së Veriut praktikon vlerat evropiane dhe nuk kemi dyshim se po ndjekim rrugën e duhur evropiane. Puna e Qeverisë është e vendosur në vijat e agjendës evropiane dhe sado ambicioze të tingëllojë, unë dhe të gjithë ne në Qeveri besojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht ka kapacitete politike të cilat mund të kontribuojnë që pas përfundimit të suksesshëm të procesit të skriningut në nëntor, të hymë me ritme dinamike në procesin e negociatave dhe deri në vitin 2030 të bëhemi shtet anëtar i BE-së”, tha Kovaçevski.

Ai u shpreh se vendi ka mbështetjen e plotë të BE-së për anëtarësimin, duke shtuar se BE do të intensifikojë angazhimin në të gjitha nivelet.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, gjatë qëndrimin në Shkup mes tjerash do të realizojë takim edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe me përfaqësues të partive politike parlamentare.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni