Borxhi i jashtëm publik vazhdon të rritet ndjeshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, Kosova qëndron më së miri në krahasim me vendet e rajonit.
Të dhënat për këtë vit tregojnë rritje të mëtutjeshme të obligimeve ndaj kreditorëve të jashtëm. Borxhi i jashtëm është pjesa e borxhit të një shteti i marrë hua nga huadhënës të huaj, përfshirë banka komerciale, qeveri ose institucione financiare ndërkombëtare.
TRT Balkan analizoi borxhin e jashtëm të shteteve nga Ballkani Perëndimor për vitin 2022, duke u bazuar në shifrat zyrtare të institucioneve vendore, Bankave Qendrore dhe Ministrive të Financave.
Nga të gjitha shtetet e rajonit, Kosova ka borxhin më të ulët të jashtëm, sipas të dhënave nga Ministria e Financave e Kosovës. Me 580 milionë euro detyrime të jashtme, Kosova është e vetmja që nuk kalon as 1 miliardë euro borxhe të jashtme në rajon, ndërsa ky borxh përbën rreth 6.87 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GJDP).
Nga i gjithë rajoni, situata më kritike duket në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, sa i përket nivelit të borxhit të jashtëm në raport me Prodhimin Bruto Vendor. Borxhi i jashtëm i Malit të Zi është 68.4 për qind, sipas të dhënave zyrtare nga Podgorica, duke e kaluar nivelin prej 60 për qind që është një nivel kritik sipas standardeve ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, i afrohet shumë këtij niveli, me borxhin e jashtëm që arrin 58.3 për qind të GJDP-së.
Bosnjë e Hercegovina gjithashtu ka nivel mjaft të ulët të borxhit të jashtëm, me rreth 22.2 për qind nga GJDP-ja e tyre.
Shqipëria ka borxh të jashtëm shtetëror që arrin 34.1 për qind të GJDP-së, ndërsa borxhi i jashtëm i Serbisë shkon mbi 20 miliardë euro, që është 34.5 për qind e GJDP-së së saj.
Borxhi i përgjithshëm i shteteve të Ballkanit Perëndimor është shumë më i lartë se kaq, nëse përfshihen detyrimet edhe ndaj kreditorëve të brendshëm. Për shembull, borxhi i përgjithshëm i Malit të Zi, si vend me më shumë borxhe në rajon, arrin 75 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Borxhi i Serbisë dhe ai i Shqipërisë janë gjithashtu dyfish më të larta, nëse llogariten në total.