Bosnje e Hercegovinë, anëtarët e Presidencës dhanë betimin solemn

Anëtarë të rinj të Presidencës janë Zhelka Cvijanoviç, Zhelko Komshiç dhe Denis Beqiroviq.

Në Sarajevë u mbajt seanca konstituive e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës (BeH), ku Zhelka Cvijanoviç, Zhelko Komshiç dhe Denis Beqiroviq u betuan si anëtarë të rinj të këtij institucioni, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia solemne filloi me intonimin e himnit kombëtar të BeH-së, ndërsa më pas, ish-kryetari i Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviq, hapi seancën konstituive ku u bë dorëzimi i detyrave.

Pas kësaj, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të BeH-së, Suad Arnautoviq, u dorëzoi certifikatat anëtarëve të porsazgjedhur të Presidencës së BeH-së.

Pas kësaj, anëtarët e porsazgjedhur lexuan dhe nënshkruan tekstin e deklaratës solemne, përkatësisht bënë betimin.

Me dhënien e betimit solemn, Zhelka Cvijanoviç, e cila do të jetë kryetare në tetë muajt e ardhshëm sipas sistemit të rotacionit, si dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së, Zhelko Komshiç dhe Denis Beqiroviq, morën detyrën e kreut kolektiv të shtetit për katër vitet e ardhshme.

Në ngjarjen solemne, përveç anëtarëve të Presidencës së BeH-së, morën pjesë edhe anëtarë të familjeve të tyre, përfaqësues të trupit diplomatik, kryetarë të partive të caktuara politike dhe zyrtarë të tjerë.

Anëtarët e rinj të Presidencës së BeH-së janë përbërja e tetë e këtij institucioni që nga viti 1996, kur u mbajtën zgjedhjet e para të pasluftës.

Në mandatin e kaluar, funksionet e anëtarëve i kryenin Shefik Xhaferoviq, Zhelko Komshiç dhe Milorad Dodik.

Në zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë të mbajtura në tetor të këtij viti, anëtarë të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës u zgjodhën Beqiroviq nga kombi boshnjak, Komshiç nga kombi kroat dhe Cvijanoviç nga kombi serb.

Denis Beqiroviq fitoi 330.238 vota, Zhelka Cvijanoviç fitoi 327.720 vota, dhe Zhelko Komshiç 227.540 vota.

Kategoritë
LajmeRajoni