Bosnje e Hercegovinë, me një ceremoni solemne hapet Festivali i 28-të i Filmit në Sarajevë

Festivali u hap me shfaqjen e filmit “Trekëndëshi i pikëllimit” të fituesit të Flakës së Artë, Ruben Ostlund.

Festivali i 28-të i Filmit në Sarajevë (SFF) u hap zyrtarisht me një ceremoni në Teatrin Kombëtar në kryeqytetin e Bosnje e Hercegovinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Festivali u hap me shfaqjen e filmit “Trekëndëshi i pikëllimit” të fituesit të Flakës së Artë, Ruben Ostlund.

Ostlund tha para shfaqjes se ishte i lumtur që ishte në Sarajevë.

“Është e mrekullueshme të rikthehem këtu, në këtë hapësirë fantastike së bashku me publikun dhe me kolegët”, tha Ostlund.

Ai gjithashtu tha se festivali i filmit është një mundësi për të parë filma në një mënyrë tjetër, edhe pse përmbajtja është e njëjtë.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe jam sërish pjesë e Festivalit të Filmit në Sarajevë”, tha Ostlund.

“Trekëndëshi i pikëllimit”, për të cilin Ostlund përgatiti edhe skenarin, është një bashkëprodhim i Suedisë, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Një nga bashkëpunëtorët në prodhimin e këtij filmi është “Obala Art Center” nga Sarajeva, në kuadër të projektit të përbashkët Obala Art Center – Sarajevo Film Festival dhe Radio Televizionit Shtetëror Turk (TRT) “Sarajeva qyteti i filmit për ekranet globale” (SCF GS).

Bashkëpunëtorë në produksionin e filmit në emër të “Obala Art Center” janë Mirsad Purivatra dhe Jovan Marjanoviç.

Ostlund ishte kryetar i jurisë së programit konkurrues të filmit artistik pranë Festivalit të 25-të të Filmit në Sarajevë, ndërsa ai gjithashtu u nderua me “Zemrën e Nderit të Sarajevës” në ceremoninë e hapjes së festivalit.

“Trekëndëshi i pikëllimit” është një satirë që ekspozon role dhe klasa: Carl dhe Yaya, një çift modelësh të cilët përjetojnë emocionet e Javës së Modës në Milano përpara se të shkojnë në një lundrim ekskluziv me jahte në Karaibe.

Në film luajnë Harris Dickinson, Charlbi Dean, Woody Harrelson, Vicki Berlin, Henrik Dorsin, Zlatko Buriç, Jean-Christophe Folly, Iris Berben, Dolly De Leon, Sunnyi Melles, Amanda Walker, Oliver Ford Davies, Arvin Kananian, Carolina Gynning dhe Ralph Schicha.

Filmi do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Sarajevë si pjesë e programit Open Air.

Në festivalin e sivjetmë, i cili do të zgjasë nga 12 deri më 19 gusht, do të shfaqen 230 filma nga 62 shtete dhe gjithsej 51 filma do të garojnë për çmimet “Zemra e Sarajevës” në programet konkurruese të Festivalit të 28-të të Filmit në Sarajevë.

Nderi për të udhëhequr ceremoninë e hapjes së edicionit të 28-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë i takoi aktores boshnjake Helena Vukoviç.

Kategoritë
Kulturë