Breshëri fyerjesh ruse ndaj Zelenskyt: “Është çudi si Trump dhe Vance u përmbajtën që të mos godasin këtë pleh”

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, komentoi takimin e sotëm mes Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelensky, Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance.

Në reagimin e saj, ajo nuk kurseu fyerjet ndaj Presidentit ukrainas.

“Mendoj se gënjeshtra më e madhe e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë ishte pretendimi i tij se regjimi në Kiev, që nga viti 2022 (kur filloi agresioni rus në Ukrainë), ka qenë i vetëm, pa mbështetje. Është çudi si Trump dhe Vance u përmbajtën që të mos godasin këtë pleh,” shkroi Zakharova në Telegram.

As ish-presidenti i Rusisë dhe zëvendëskryetari aktual i Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev, nuk e kurseu fjalorin e ashpër, duke e quajtur Zelenskyn “derr arrogant” që ka “marrë një shuplakë të merituar në Zyrën Ovale.”

Zelensky u largua nga takimi pa nënshkruar marrëveshjen

Kujtojmë se Zelensky shkoi sot në Uashington për t’u takuar me Trumpin dhe JD Vance, si dhe për të nënshkruar një marrëveshje mbi mineralet ukrainase. Takimi u zhvillua, por nënshkrimi i marrëveshjes nuk ndodhi.

Zyrtarët amerikanë e kritikuan ashpër Zelenskyn, duke i vënë në dukje një sërë çështjesh. Në fund, ai u largua nga takimi me iniciativën e tij.

Kategoritë
BotaLajme