Breshka “Caretta Caretta Tuba” përfshirë Shqipërinë ka përshkruar 17.500 km në 3 vite

Breshka vizitoi brigjet e Greqisë, Maltës, Italisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë

Breshka e detit “Caretta Caretta Tuba” që u lëshua në det 3 vjet më parë duke i vendosur një pajisje gjurmuese satelitore nga punonjësit e Qendrës së Kërkimit, Shpëtimit dhe Rehabilitimit të Breshkave të Detit (DEKAMER) me qendër në Muğla të Türkiye-s, përfshirë Shqipërinë ka përshkruar 17.500 kilometra në 3 vite dhe vazhdon ende udhëtimin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

DEKAMER me qendër në zonën Dalyan në Muğla të Türkiye-s, më 28 gusht 2019 me mbështetjen e Fondacionit TUI Care i vendosi breshkës në fjalë pajisje të gjurmimit satelitor. Breshka caretta caretta 25-30 vjeçare e emërtuar “Tuba” u bë breshka e parë detare e cila u ndoq nga Türkiye në Adriatik me pajisje të gjurmimit satelitor.

Breshka u gjurmua për të përcaktuar zonën e migrimit, ushqimit dhe muajt dimëror të saj, se si ajo u drejtohet plazheve ose drejtimeve të tjera dhe se si ndikohet ajo nga fushat magnetike të tokës dhe drejtimi i rrymës.

Breshka “Tuba” në 3 vite ka përshkruar 17.500 km rrugë dhe gjatë kësaj ajo u shikua 7 milionë e 300 mijë herë në hartë falë pajisjeve gjurmuese dhe gjithashtu po pritet me padurim se si do të vazhdojë udhëtimi i saj.

Pavarësisht nga kjo rrugë e gjatë, nga breshka “Tuba” mund të sigurohen ende të dhëna nga pajisja gjurmuese. Në këtë drejtim janë siguruar të dhëna përtej pritshmërive të ekspertëve dhe bëhet e ditur se ajo është breshka që është monitoruar për kohën më të gjatë.

Pas 2 muaj nga lëshimi në plazhin İztuzu në rajonin Dalyan, breshka qëndroi për dy muaj në brigjet e Marmaris dhe pas një muaji mbërriti në Greqi duke vizituar më pas edhe brigjet e Maltës, Italisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë.

Sipas të dhënave të reja, “Caretta caretta Tuba”, ndodhet në brigjet detare të qytetit Lecce në jug të Italisë.

Lëvizjet e breshkave detare që ndiqen nëpërmjet pajisjeve gjurmuese satelitore, mund të shihen edhe nga faqja e internetit të DEKAMER.

Kategoritë
BotaLajme