Britani, kompanitë pjesëmarrëse në testimin për punë 4 ditë në javë do e bëjnë këtë praktikë të përhershme

Në Britani vazhdon programi pilot i cili filloi qershorin e kaluar nga organizata jofitimprurëse “4 Day Week Global”, në të cilin më shumë se 3 mijë punonjës punuan 4 ditë në javë për 6 muaj me radhë

Shumë kompani britanike që morën pjesë në testimin për punë 4 ditë në javë në Britani, njoftuan se pas përfundimit të programit pilot 6 mujor kanë planifikuar ta bëjnë të përhershme këtë praktikë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Britani vazhdon programi pilot i cili filloi qershorin e kaluar nga organizata jofitimprurëse “4 Day Week Global”, në të cilin më shumë se 3 mijë punonjës punuan 4 ditë në javë për 6 muaj me radhë.

Të dhënat vërtetuan se në gjysmën e provës 6 mujore, shumica e kompanive kanë ruajtur produktivitetin ose e kanë përmirësuar atë.

– Kompanitë: Produktiviteti ka mbetur i njëjtë ose është rritur

Në gjysmë të praktikës pilot u krye një anketim me 41 nga 73 kompanitë që morën pjesë në testin për të punuar 4 ditë në javë.

Rreth 86 për qind e pjesëmarrësve në anketë, pas përfundimit të praktikës pilot theksuan se do të vazhdojnë politikën për punë 4 ditë në javë.

Ndërkohë 95 për qind e kompanive kanë bërë të ditur se gjatë testimit të punës, produktiviteti ka mbetur i njëjtë ose është rritur.

Rezultatet e testimit që do përfundojë në fund të këtij viti, do të vlerësohet nga hulumtues të Universitetit Cambridge, Universitetit Oxford dhe Boston College.

– Prova e punës 4 ditë në javë në Islandë rezultoi me sukses

Hulumtuesit në Islandë në një deklaratë të bërë në vitin 2021, theksuan se prova më e madhe në botë deri më tani për punë 4 ditë në javë ka përfunduar me sukses dhe se ajo duhet të testohet edhe në Britani.

Pas testimit të bërë, një analizë e përbashkët e publikuar nga institucionet think tank si Shoqata për Qëndrueshmëri dhe Demokraci (Alda) në Islandë dhe “Autonomy” në Britani, vërtetoi se provat e kryera nga viti 2015 deri në vitin 2019 duke përfshirë më shumë se 2.500 njerëz, rritën “produktivitetin dhe mirëqenien”.

Në Britani 45 deputetë nga parti të ndryshme përfshirë edhe Partinë Laburiste si partia kryesore opozitare, nënshkruan në vitin 2020 një mocion që i bën thirrje qeverisë për ngritjen e një komisioni për të shqyrtuar propozimin për të punuar 4 ditë ë javë.

Kategoritë
BotaLajme