Britani, njerëzit me ngjyrë presin me muaj më shumë për transplantin e organeve

Njerëzit me ngjyrë presin deri në gjashtë muaj më shumë për transplantim organesh sesa popullsia e përgjithshme

Njerëzit me ngjyrë në Britaninë e Madhe presin deri në gjashtë muaj më shumë për transplantim organesh sesa popullsia e përgjithshme, sipas raportit të fundit të autoriteteve shëndetësore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Transplantimi i organeve më së miri përshtatet nga një person i së njëjtës etni, megjithatë, vetëm dy për qind e donatorëve vitin e kaluar ishin me ngjyrë, të cilët përbëjnë katër për qind të popullsisë së përgjithshme, sipas një raporti të organizatës britanike Blood and Transplant, e cila operon nën kujdesin e Sistemit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS).

Edhe pse koha e pritjes është ulur për të gjitha grupet etnike në Britani të Madhe, njerëzit me ngjyrë presin mesatarisht 735 ditë për transplantimin e veshkës, raporton BBC.

Megjithatë, koha mesatare e pritjes është 550 ditë për popullatën e përgjithshme, 650 ditë për pacientët aziatikë dhe 488 ditë për pacientët e bardhë.

“Njerëzit me ngjyrë presin më gjatë sepse më pak njerëz nga ky grup etnik paraqiten për të dhuruar organet e tyre”, tha Winnie Andango nga Blood and Transplant.

Pacientët me veshka përbëjnë shumicën e pacientëve në listat e pritjes, sepse transplantimet duhet të përputhen sipas grupit të gjakut dhe indeve, ndërsa për transplantimet e organeve të tjera kërkohet vetëm grupi i gjakut.

Kategoritë
BotaLajme