Britani, pronari i dyqanit i ofron ndihmë hajdutit pas përpjekjes së dështuar për të vjedhur celularë

Kohërat janë të vështira për shumë prej nesh në këto momente, nëse përpiqeni të keni ushqim në tryezë, ju lutemi na vizitoni në dyqan që të shohim se si mund të ju ndihmojmë, i ka thënë Afzal Adam vjedhësit.

Një pronar dyqani në Dewsbury të West Yorkshire i ka ofruar ndihmë një hajduti i cili u përpoq pa sukses të vidhte celularët nga dyqani i tij, falë bllokimit automatik të derës.

Afzal Adam, pronar i një dyqani të vogël celularësh, postoi videon e një të riu me kapuç duke u përpjekur të ikte nga dyqani me telefonat. Megjithatë, ai u largua nga dyqani vetëm pasi dorëzoi telefonat, ndërsa Adam hapi derën.

Më vonë, Adam i ofroi personit në fjalë mbështetje në një postim në Twitter, duke i kërkuar atij që të kthehej për ndihmë nëse kishte nevojë.

“Kohërat janë të vështira për shumë prej nesh në këto momente, nëse përpiqeni të keni ushqim në tryezë, ju lutemi na vizitoni në dyqan që të shohim se si mund të ju ndihmojmë”, shkroi Adam, duke cituar hadithin e Profetit Muhamed: “Bëhu i mëshirshëm me të tjerët dhe do të jesh i mëshiruar. Falni të tjerët që Allahu t’ju falë ju”.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Adam tha se kishte instaluar një sistem automatik të mbylljes gjatë pandemisë COVID-19 dhe se bllokimi i derës mund të zhbllokohet vetëm nën banak.

“E gjitha ndodhi rreth orës 15:00, kur ky i ri në dyqan… sapo mori dy telefona, të cilët vlejnë rreth 1.700 funte, vrapoi drejt derës duke u përpjekur të dilte”, tha Adam dhe vazhdoi:

“Ai e kuptoi që nuk do të hapej sepse ishte e kyçur dhe pastaj shihej qartë fytyra e tij, i cili u kthye paksa i turpëruar dhe i ktheu telefonat”.

Adam shpjegoi se hajduti i ktheu telefonat dhe tha:

“E dini, miqtë më thanë ta bëja këtë. Unë nuk jam i tillë, miqtë e mi më bindën të vij këtu dhe të vjedh”.

Adam tha se kishin vendosur ta linin të ikte sepse “këtë herë nuk kishte vjedhur asgjë”.

“I kthyem telefonat, sepse është më mirë ta lini të shkojë, në vend që të shkaktojë ndonjë dëm më shumë”, vuri në dukje Adami.

– Islami urdhëron dhembshurinë

Adam tregoi pse u soll ashtu, “sepse Islami nuk na mëson të tregojmë zemërim dhe shtypje”.

“Islami na mëson të jemi të mëshirshëm. Pra, më mirë të tregojmë një lloj dhembshurie ndaj tij. Inshallah (në dashtë Zoti), Allahu do t’i japë atij hidajet (udhëzim). Allahu na udhëzon të gjithëve. Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Dhe kjo është e qartë, ju e dini, kjo është rruga në të cilën jemi. Kështu që më mirë ishte të lenim të shkojë”.

– Nuk do ta padisin hajdutin

Adam tha se nëse policia e thërret dhe e pyet nëse do të ngre padi kundër hajdutit, ai do të thoshte jo.

“Policia nëse më thërret, sepse jam i sigurt që do t’i shohë pamjet tani, dhe nëse më pyesin nëse dua të ngre padi, nuk do të ngre padi kundër tij. Mendoj për atë që ka bërë. Inshallah, shpresoj të kuptojë dhe të ndryshojë. Mendoj se është më mirë për të”, tha Adam.

Duke treguar dhembshuri për të riun, Adam tha se këta “fëmijë të vegjël janë të paudhëzuar dhe se arsyeja pse janë ashtu siç janë është për shkak të edukimit të tyre, ata janë ashtu siç janë për shkak të ndikimit të miqve të tyre dhe rrethanave në të cilat ndodhen”.

“Kjo është arsyeja pse ata bëjnë atë që bëjnë. Kurse unë mendoj se si muslimanë duhet të jemi aty dhe të paktën të përpiqemi t’i ndihmojmë këta njerëz të sigurohen se janë në rrugën e duhur”, thekson Adam.

Pronari i dyqanit tha se ende nuk e dinë se kush është i riu, por nëse ka nevojë për ndihmë, ata janë aty për të:

“Shpresojmë se nga videoja do të marrë një mesazh dhe kush e di ndoshta ai mund të kthehet”.

– Mbështetje nga mbarë bota

Adam thotë se për shkak të gjestit të tij, ai mori mirënjohje dhe mbështetje nga e gjithë bota.

“E dini, rreth 99 për qind e mesazheve ishin aq inkurajuese, ndërsa ne morëm mesazhe nga e gjithë bota. Ata ishin të fuqishme. Por në të njëjtën kohë, ndihem i privilegjuar që ka kaq shumë muslimanë që bëjnë gjëra të tilla”, thotë Adam.

Ai shton se në thirrjen e tij për të ndihmuar të riun ka marrë edhe komente negative, si mesazhe se “duhej ta rrihnin”, por megjithatë, thotë ai, shumica ishin shumë pozitive.

– E kemi detyrim të tregojmë se çka është Islami

Adam thekson se ka shumë negativitet ndaj muslimanëve, të nxitur nga disa media në Britani, por atyre duhet t’u tregohet se çka është Islami.

Kategoritë
BotaLajme