Britania e Madhe kërkon naftë dhe gaz në Detin e Veriut

Autoriteti britanik njoftoi se më shumë se 100 licenca për kërkimin e naftës dhe gazit mund të jepen në këtë raund

Britania e Madhe ka nisur një raund të ri të licencimit për kërkime të naftës dhe gazit për 898 lokacione në Detin e Veriut për të rritur sigurinë energjetike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoriteti i Tranzicionit të Detit të Veriut (NSTA) njoftoi se më shumë se 100 licenca për kërkimin e naftës dhe gazit mund të jepen në këtë raund.

NSTA ftoi të gjitha palët e interesuara të paraqesin aplikime për leje kërkimore.

NSTA ka identifikuar katër zona prioritare të grupimeve për të rritur sa më shpejt prodhimin në jug të Detit të Veriut. Këto zona janë afër infrastrukturës së nevojshme dhe kanë potencial për t’u zhvilluar me shpejtësi.

NSTA ka deklaruar se ka për qëllim të licencojë këto zona para të tjerave për të përshpejtuar fazën e prodhimit.

Aplikimet mund të dërgohen deri më 12 janar 2023 dhe pritet që licencat e para të jepen që në tremujorin e dytë të vitit 2023.

Andy Samuel, shefi ekzekutiv i NSTA-së, tha se vlerësohet që Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të importojë gaz natyror teksa vendi kalon në një sistem energjie plotësisht të rinovueshme.

Kategoritë
BotaLajme