Britania e Madhe për herë të parë që nga fillimi i luftës në Gaza akuzon Izraelin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare

Britania e Madhe të hënën në mbrëmje akuzoi Izraelin për shkelje të së drejtës ndërkombëtare për herë të parë që nga fillimi i konfliktit në Gaza, raporton britanikja Telegraph.

David Lammy, ministri i Jashtëm britanik, deklaroi se qeveria e Benjamin Netanyahut ka kryer “shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, duke e ashpërsuar ndjeshëm qëndrimin e Londrës ndaj Tel Avivit.

Gjatë dy javëve të fundit, qeveria izraelite ka bllokuar ndihmën humanitare, përfshirë ushqimin, karburantin dhe ilaçet, që të hyjnë në Gaza.

Në vitin 2024, qeveria britanike pezulloi rreth 30 leje eksporti për armë drejt Izraelit, duke ndaluar përdorimin e tyre në operacionet ushtarake në Gaza pas një rishikimi mbi pajtueshmërinë e Izraelit me ligjin ndërkombëtar humanitar.

Komentet e Lammyt gjatë një debati në parlament ishin hera e parë që Britania e Madhe akuzoi në mënyrë eksplicite Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Deputetja laburiste Rupa Huq, e cila përfaqëson zonën Ealing Central dhe Acton, përdori fjalën e saj në Dhomën e Komunëve për të akuzuar Izraelin se po ndërmerr veprime “provokuese gjatë Ramazanit”.

Ajo vazhdoi të bëjë pyetje mbi pasojat e mundshme të asaj që “njerëzit e quajnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

“Izraeli ka të drejtë të mbrojë sigurinë e tij – por kanë kaluar 15 ditë që ndihma humanitare nuk ka mbërritur në Gaza. Kjo është e papranueshme, shumë alarmuese dhe shqetësuese. I bëjmë thirrje Izraelit të rikthehet në nivelet e furnizimit që kemi parë më parë – mbi 600 kamionë në ditë – në mënyrë që palestinezët të marrin ndihmën jetike që u nevojitet në këtë moment”, deklaroi Lammy.

Më herët, Lammy kishte theksuar se “nuk ka asnjë justifikim” për vendimin e Izraelit për të penguar ndihmën humanitare për palestinezët gjatë konfliktit me Hamasin.

Kategoritë
BotaLajme