Britania fillon tërheqjen e stafit të ambasadës nga Ukraina

Vendimi erdhi pasi SHBA-ja dha urdhër që familjet e personelit në ambasadën e Kievit të largoheshin nga Ukraina

Britania ka filluar të tërheqë stafin e saj nga ambasada në Kiev për shkak të ndërhyrjes së mundshme ruse në Ukrainë

“Disa pjesëtarë të stafit të ambasadës dhe familjet e tyre po tërhiqen nga Kievi për shkak të kërcënimit në rritje nga Rusia”, tha Zyra e Jashtme britanike në një deklaratë, në të cilën theksohet se Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë të qëndrojë e hapur dhe të kryejë punët themelore.

Deklarata gjithashtu këshilloi qytetarët britanikë që të mos udhëtojnë në Donetsk, Luhansk dhe Krime dhe të mos jenë në pjesën tjetër të Ukrainës, përveç rasteve kur është absolutisht e nevojshme.

Vendimi erdhi pasi SHBA-ja dha urdhër që familjet e personelit në ambasadën e Kievit të largoheshin nga Ukraina.

Në një deklaratë me shkrim të publikuar më 23 janar, Zyra e Jashtme britanike njoftoi se ka ardhur në përfundimin se Rusia po planifikonte të krijojë një administratë pro-ruse në Ukrainë.

Britania gjithashtu ka dërguar armë antitank në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme