Britania i fut në listë të zezë Radojiçiqin dhe Veselinoviqin

Mbretëria e Bashkuar ka sanksionuar 30 figura të korruptuara politike, shkelës të të drejtave të njeriut dhe kryes të dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktet në mbarë botën.

Në mesin e tyre janë edhe dy figura kontroverse serbe nga Kosova, Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Këta të dy hyjnë në kategorinë e “aktorëve të korruptuar”.

“Milan Radojiçiq, një biznesmen i industrisë së ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe. Radojiçiq ka përfituar nga shpërdorimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’i dhënë kompanive të tij të ndërtimit kontrata fitimprurëse”, thuhet në përshkrimin e Mbretërisë së Bashkuar për vendimin e saj për ta sanksionuar nënkryetarin e Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës e dirigjuar nga Beogradi zyrtar.

Veç tij është edhe Zvonko Veselinoviq. Sipas Mbretërisë së Bashkuar, ai është “një biznesmen i industrisë së ndërtimit në Kosovë duke përdorur kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore”.

Përpos dyshes së serbëve të Kosovës, është edhe serbi tjetër, Slobodan Tesiq, i cili konsiderohet si një tregtar i rëndësishëm i armëve me bazë në Serbi, “i akuzuar për ryshfet ndaj Kryeprokurorit të Shtetit të një vendi tjetër”.

“Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përdorë të gjitha levat në dispozicionin tonë për të trajtuar aktorët e korruptuar dhe shkeljet dhe abuzimet moralisht të dënueshme, përfshirë dhunën seksuale, të të drejtave të njeriut në mbarë botën”, thuhet në vendim.

Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së ka futur në listë të sanksioneve Millan Radojiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Në sqarim është thënë se Radojiçiq ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviqi është tërhequr për pak kohë.

Po ashtu, është thënë se Radojiçiq ka qenë përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Veselinoviqit.

Sipas Ministrisë së Financave në SHBA, grupi kriminal i Veselinoviqit është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas shpalljes së sanksioneve nga SHBA-ja, Lista Serbe ka thënë se “akuzat e pabaza kundër serbëve të shquar nga veriu, janë një fushatë e koordinuar, e cila synon të dobësojë unitetin dhe mbrojtjen e popullit tonë në këto zona”.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë këtij viti, pati thënë se Radojiçiqi, 44 vjeç, është njëri prej udhëheqësve të grupeve kontrabanduese që sulmojnë policinë në veri të Kosovës.

Vetë Radojiçiqi nuk i ka komentuar këto pretendime, ndërsa partia e tij i ka hedhur poshtë ato.

I njëjti i ka shpëtuar dy herë arrestimit nga Policia e Kosovës, duke u arratisur nga Kosova.

Kategoritë
BotaLajme