Bruksel, mbahet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së

“Ne besojmë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të lidhura me progresin aktual dhe të na motivojnë të gjithëve që ta afrojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha kryeministri Kurti

Në Bruksel është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit, e ka quajtur këtë takim moment të rëndësishëm në zbatimin e MSA-së, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA).

Kurti tha se qeveria tashmë ka miratuar planin e ri të Agjendës së Reformës Evropiane ERA II me prioritete që vijnë nga MSA, për të cilin tha se Qeveria është zotuar që ta zbatojë me prioritet të lartë.

Ai theksoi përkushtimin për të ecur sa më shpejtë që është e mundur në rrugën e integrimit, ndërsa tha se BE-ja është e ardhmja e Kosovës “për të cilën nuk shohim alternative tjetër”.

“Ne besojmë se kushtet e BE-së duhet të jenë të drejta dhe të lidhura me progresin aktual dhe të na motivojnë të gjithëve që ta afrojmë rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar rëndësinë që ka mirëmbajtja e besimit të qytetarëve të Kosovës duke dëshmuar përfitimet e të qenit pjesë e BE-së me veprime konkrete, që sipas tij do të duhej të fillonte nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Duke përmendur stabilitetin institucional në vend, si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit, reformat e nisura në drejtësi, luftën kundër krimit dhe rritjen ekonomike të shënuar gjatë këtij viti, kryeministri kosovar tha se Kosova po hyn optimiste në vitin 2022.

Para përfaqësuesve të BE-së, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell dhe Komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, u prezantuan arritjet dhe planet e Qeverisë së Kosovës në zbatimin e MSA-së.

Diskutimet e takimit u fokusuan mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe BE-së në kontekstin e marrëveshjes kontraktuese të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Kosovës në BE.

Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua ngazv/kryeministri i parë, Besnik Bislimi, zv/kryeministrja e dytë dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zv/ministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Kategoritë
BotaLajme