Bullgari, ish-kryeministri Boyko Borisov fitues i zgjedhjeve të parakohshme

GERB-SDS i ish-kryeministrit Borisov grumbulloi 26,47 për qind të votave, ndërsa koalicioni PP-DB radhitet i dyti me 24,96 për qind.

Koalicioni i qendrës së djathtë GERB-SDS, i udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borisov, fitoi zgjedhjet e parakohshme në Bullgari, të pestat në dy vitet e fundit.

Agjencia shtetërore e lajmeve BTA, duke theksuar se gati 94 për qind e votat janë numëruar, bëri të ditur se GERB-SDS grumbulloi 26,47 për qind të votave, koalicioni i përbërë nga partitë Vazhdojmë ndryshimin dhe Bullgaria Demokratike (PP-DB), radhitet i dyti me 24,96 për qind.

Partia e ekstremit të djathtë “Vazrazhdane” (Rilindja) është në vendin e tretë me 14,39 për qind, ndërsa Lëvizja e të Drejtave dhe Lirive, partia e mbështetur nga turqit dhe muslimanët, radhitet e katërta me 12,96 për qind.

Pjesë e parlamentit me 240 ulëse do të jenë edhe Partia Socialiste Bullgare (BSP) e cila fitoi 8,95 për qind, si dhe partia “Ka popull të tillë” (ITN), e cila fitoi 4,16 për qind të votave.

Kategoritë
LajmeRajoni