Bullgaria arreston 5 persona të dyshuar për bashkëpunim në sulmin terrorist në Istanbul

Tre shtetas moldavë dhe dy arabë me shtetësi të paspecifikuar do të mbahen në paraburgim për 72 orë, njoftuan autoritetet.

Bullgaria ka arrestuar pesë persona të dyshuar për bashkëpunim në sulmin terrorist në të cilin u vranë gjashtë persona në Istanbul javën e kaluar, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Tre shtetas moldavë dhe dy arabë me shtetësi të paspecifikuar do të mbahen në paraburgim për 72 orë, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve BTA, duke cituar Siika Mileva-n, zëdhënëse e kryeprokurorisë.

Prokuroria do të kërkojë nga gjykata që pas 72 orësh t’u caktohet masa e ndalimit të përhershëm, shtoi ajo.

Mileva vlerësoi bashkëpunimin e Türkiyes në procesin hetimor dhe tha se të dyshuarit ishin kryesisht të përfshirë në aktivitete logjistike pas sulmit terrorist.

Ndërkohë, ekipet kundër terrorizmit të policisë së Istanbulit kanë kapur tetë të dyshuar të tjerë të lidhur me sulmin terrorist vdekjeprurës të 13 nëntorit.

Qeveria turke ka thënë se sulmi në rrugën e njohur Istiklal në afërsi të sheshit Taksim është kryer nga organizata terroriste PKK/YPG.

Dorasja e sulmit u kap nga policia turke së bashku me dhjetëra të dyshuar të tjerë.

Sipas policisë, Ahlam Albashir ka rrëfyer se ka hyrë ilegalisht në Türkiye nga qyteti sirian Afrin, pasi ka marrë trajnim operativ të inteligjencës nga grupi terrorist YPG/PKK.

Kategoritë
BotaLajme