Bullgaria mund të marrë një kryeministre: Marija Gabriel fillon negociatat me palët

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të pesta në dy vjet në Bullgari, lideri i partisë me më shumë vota, Bojko Borisov, tha se detyrën e formimit të qeverisë së re do t’ia ngarkonte komisioneres aktuale evropiane për Inovacion – Maria Gabriel.

Lideri i GERB-it Bojko Borisov tha se Gabriel në ditët në vijim do të ketë për detyrë të zhvillojë bisedime me të gjitha palët dhe të përpiqet të zhbllokojë proceset në një vend që prej kohësh është në një krizë politike, të paprecedentë në historinë moderne të Bullgarisë.

Gabriel punoi për një kohë të gjatë si Komisioner Evropian për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë në Komisionin Evropian nën presidencën e Ursula von der Leyen.

Pas njoftimit se Gabriel do të marrë rolin e mandatit të qeverisë së re, një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha se ajo ka kërkuar një pushim pa pagesë nga puna e saj në Bruksel për të marrë pjesë në negociatat për qeverinë e re.

Lidhur me emërimin e mundshëm të Gabrielit në pozitën e kryeministrit, Partia Popullore Evropiane, së cilës i përket edhe GERB, njoftoi se ky komisioner paraqet një zgjidhje të madhe për tejkalimin e problemeve brenda sistemit politik bullgar.

“Ajo ka përvojën dhe autoritetin ndërkombëtar për të kapërcyer bllokimin politik në Sofje. Mbështetje e plotë për partinë tonë simotër GERB për vendosjen e interesave të vendit në plan të parë,” tha presidenti i EPP Manfred Weber.

Sipas mediave bullgare, takimet e para mes Maria Gabrielit dhe përfaqësuesve të partive parlamentare në Bullgari priten më 11 maj, me fillim nga ora 10:00.

Kategoritë
LajmeRajoni