Bullgaria po përballet me “rritje të paprecedentë” të sulmeve hibride nga Rusia

Duke e quajtur luftën ruse kundër Ukrainës një “shkelje të rendit juridik ndërkombëtar”, Milkov argumentoi se ajo i ka dhënë një “goditje serioze” arkitekturës bashkëkohore të sigurisë ndërkombëtare.

Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Nikolay Milkov, ka deklaruar se vendi i tij po përballet me një “rritje të paprecedentë” të sulmeve hibride nga Rusia.

“Paralelisht me veprimet ushtarake agresive të Rusisë, ne po përballemi me një rritje të paprecedentë të sulmeve të ndryshme hibride që synojnë të minojnë qëndrueshmërinë e Bullgarisë dhe rrjedhimisht vlerat dhe proceset tona demokratike”, tha Milkov në hapjen e konferencës ndërkombëtare të Forumit të Sigurisë së Sofjes.

Siç raporton agjencia e lajmeve BTA, duke e quajtur luftën ruse kundër Ukrainës një “shkelje të rendit juridik ndërkombëtar”, Milkov argumentoi se ajo i ka dhënë një “goditje serioze” arkitekturës bashkëkohore të sigurisë ndërkombëtare.

Milkov akuzoi Rusinë për përdorimin e “teknikave hibride, instrumentalizimin e furnizimeve të energjisë dhe ushqimit, aktiviteteve kibernetike të kontrollit mbi teknologjitë e ndjeshme, si dhe për intensifikimin e paparë të propagandës që synon destabilizimin e brendshëm politik të shoqërive tona, duke provokuar pakënaqësi dhe duke reduktuar solidaritetin me Ukrainën”.

Kjo, theksoi shefi i diplomacisë bullgare, ka detyruar Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n të kenë “përgjigje të caktuara”.

Kategoritë
LajmeRajoni