Burimet e inteligjencës: Inteligjenca turke organizon takim mes zyrtarëve të inteligjencës amerikane dhe ruse

Burime të inteligjencës për AA thanë se takimi i organizuar nga MIT mes drejtorit të CIA-s, Bill Burns dhe drejtorit të SVR-së, Sergey Naryshkin, u zhvillua në Ankara

Burime të inteligjencës të Türkiyes (MIT) njoftuan se në Ankara është zhvilluar një takim mes Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) dhe Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), të organizuar nga MIT, raporton Anadolu Agency (AA)

Burime të inteligjencës për AA thanë se takimi i organizuar nga MIT mes drejtorit të CIA-s, Bill Burns dhe drejtorit të SVR-së, Sergey Naryshkin, u zhvillua në Ankara.

Një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, i cili foli në kushte anonimiteti, tha gjithashtu për AA se kanalet e komunikimit me Rusinë janë të hapura, veçanërisht në lidhje me menaxhimin e rreziqeve bërthamore dhe rreziqeve për stabilitetin strategjik.

“Si pjesë e këtyre përpjekjeve, Bill Burns do të takohet me homologun e tij të inteligjencës së Rusisë sot në Ankara. Nuk do të ketë aspak negociata. Burns nuk do të diskutojë zgjidhjen e luftës së Ukrainës. Burns do të përcjellë një mesazh për pasojat e përdorimit të Rusisë të armëve bërthamore dhe përshkallëzimin e tensioneve në stabilitetin strategjik”, tha zyrtari.

Më tej, ai tha se Burns do të ngrejë edhe çështjen e shtetasve amerikanë të arrestuar “padrejtësisht” në Rusi.

“Ne informuam Ukrainën për këtë takim. Ne jemi të vendosur ndaj parimit tonë bazë, pa Ukrainën, asgjë nuk do të ndodhë për çështjen e Ukrainës”, theksoi ai

Kategoritë
BotaLajme