Burrit shpërtheu fshikëza e tëmthit për shkak të mbidozës së erëzës popullore

Erëza popullore, pjesa aktive e shafranit të Indisë, e njohur si kurkumin, rezultoi e rrezikshme për një 69-vjeçar, i cili përfundoi në spital me këputje të fshikëzës së tëmthit për shkak të konsumit të tepërt.

Siç raporton Express, kurkumina anti-inflamatore është lidhur me një sërë përfitimesh shëndetësore, nga kontrolli i diabetit deri tek trajtimi i artritit. Këto efekte të fuqishme e kanë kthyer kurkuminën në një suplement popullor që konsumohet nga një numër i madh njerëzish sot.

Pavarësisht popullaritetit të saj, kurkumina nuk duhet tepruar, ndaj ekspertët paralajmërojnë se duhet marrë me kujdes. Kjo mbështetet nga rasti i lartpërmendur, i cili u përshkrua në detaje në American Journal of Medical Case Reports. Sipas raportit, një burrë 69-vjeçar shkoi në urgjencë pas tre ditësh dhimbje jashtëzakonisht të forta në bark, gjoks, ethe dhe djersitje. Dhimbja që ai përshkroi u përhap deri në pjesën e sipërme të shpinës.

Teksa mjekët i kanë ekzaminuar mushkëritë dhe sistemin kardiovaskular, nuk kanë mundur të gjejnë fajtorin për këto probleme. Por një skanim CT i gjoksit të tij tregoi se fshikëza e tëmthit i kishte plasur dhe ai kishte një gur tëmthit prej një centimetri.

Ndërsa shkaqet më të zakonshme të këputjes së fshikëzës së tëmthit janë gurët e tëmthit dhe kolecistiti, studiuesit besojnë se suplementet e kurkuminës gjithashtu luajtën një rol të madh në rastin e këtij pacienti. Përkatësisht, pacienti ka marrë një dozë ditore prej 1500 deri në 2000 miligramë kurkumin për katër muaj.

Siç shpjeguan mjekët, suplementi popullor nuk rekomandohet për njerëzit me gurë në tëmth, sepse shafrani i Indisë mund të rrisë aftësinë e fshikëzës së tëmthit për të nxjerrë biliare në kanalet biliare, shkruan Index.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi