ugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar situatën e krijuar pas dështimit të Kuvendit për ta zgjedhur Kryetarin në përpjekjen e tretë me radhë, duke theksuar se Gjykata Kushtetuese ka qartësuar se partisë fituese i takon e drejta për të propozuar kandidatin për këtë post.
Sipas Cakollit, ndonëse deputetët kanë për obligim të marrin pjesë në seancë, ata nuk janë të detyruar që të votojnë patjetër “pro” kandidatit të propozuar.“Për herë të tretë, Kuvendi dështoi të zgjedhë Kryetarin e vet. Meqë nuk kishte marrëveshje politike, e kandidatura u tha se do të ishte e njëjtë – ndonëse formalisht nuk u propozua fare – nuk kishte konstituim. Sepse e njëjta formulë nuk do të prodhojë papritur aritmetikë tjetër parlamentare”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka theksuar se në mungesë të një shumice parlamentare, është i domosdoshëm zhvillimi i diskutimeve dhe arritja e kompromisit.
“Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se partia fituese ka të drejtë ekskluzive të propozojë kandidatin për Kryetar, ndërsa deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në votim – por jo patjetër të votojnë ‘pro’. Prandaj, kur mungon shumica, lind obligimi për të zhvilluar diskutime, për të kërkuar kompromis dhe për të shmangur zvarritjen e mëtejshme – jo domosdo në mes të këtyre seancave krejt të kota. Nëse nuk ka lëvizje, duhet të fillojnë së paku reflektimet – qoftë për qasjen, qoftë për vetë opsionet politike”, ka përfunduar ai./Telegrafi/