Caktohet masa e paraburgimit ndaj serbit të arrestuar në Veri, avokati jep një deklaratë interesante

Sot në orën 13:00 ka përfunduar seanca ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq nga Mitrovica veriore.

Avokati i tij, Sërgjan Mitroviq ka thënë për “Kosova Online” se prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, përcjell Insajderi.

Mitroviq ka theksuar se seanca është mbajtur online dhe nuk e ka parë Pantiqin drejtpërdrejt.

Avokati pretendon se kërkesa e prokurorit për masën e paraburgimit prej një muaji është në kundërshtim me ligjin.

“Kam thënë se Pantiq është një njeri shumë i ndershëm, se ka qenë duke blerë bukë në kohën kur dyshohet se ka kryer veprën penale. Kemi sugjeruar që të marrin edhe pamjet nga kamerat e vëzhgimit nga rruga Knjaza Milosha”, deklaroi Mitroviq.

Dejan Pantiq është arrestuar të premten në vendkalimin Jarinje. Ai po akuzohet për veprën penale “Kryerje e aktit terrorist”, pasi dyshohet se i ka sulmuar zyret e KQZ-së në veri të vendit.

Për shkak të arrestimit të Pantiqit në veri të Mitrovicës janë ngritur edhe më shumë tensionet. Serbët kanë vendosur barrikada, ndërkohë që po protestojnë duke kërkuar lirimin e tij. /Insajderi

Kategoritë
LajmeVendi