Caktohet paneli që do ta gjykojë Thaçin dhe të tjerët, lënda iu dorëzohet me 15 dhjetor

Presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova ka caktuar panelin e gjyqtarëve të cilët do të gjykojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Në një dokument të publikuar në faqen e Gjykatës Speciale, thuhet se më 30 nëntor të këtij viti, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka njoftuar se dosja e rastit do të jetë e gatshme që t’i dorëzohet Panelit të Gjyqtarëve më 15 dhjetor, shkruan Gazeta Express.

Paneli i Gjyqtarëve do të përbëhet nga Charles Smith III, Christoph Bathe, Guenael Mattraux dhe Fergal Gaynor si rezervist.

Trëndafilova thotë se këto emërime i ka bërë bazuar në kriteret e caktuara në Rregullën 4(2) për emërimet, në të cilën përfshihet përvoja, ekspertiza dhe disponuneshmëria në këtë kohë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga viti 2020./GazetaExpress/

 

 

 

Kategoritë
LajmeVendi