“Capajt” të armatosur deri në dhëmbë edhe më herët- Premtimi kishte terrorizuar e plagosur disa të qytetarë në një lokal në Graçanicë

Nata e 1 shtatorit doli të jetë natë tragjike. Të shtëna të shumta të armëve të zjarri u dëgjuan pikërisht në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.,Pistoleta e armë automatike u përdorën pikërisht në një konflikt që kishte nisur shumë më parë.

Si shkak i këtyre të shtënave një person humbi jetën dhe pesë të tjerë u lënduan.

I vrari në këtë rast është Premtim Gashi, i cili pas vetes la dy fëmijë dhe gruan.

E të përfshirë në këtë rast janë edhe disa persona, pesë prej tyre të lënduar që tashmë po trajtohen në kuadër të QKUK-së. Korab Gashi, vëllai i Premtim Gashit, Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi janë të plagosurit nga këto të shtëna.

Në lidhje me këtë rast dje në objektin e QKUK-së në dy klinika të ndara në atë të Kirurgjisë dhe atë të Ortopedisë është zhvilluar seanca e parë dëgjimore gjyqësorë në këtë rast.

Organet e hetuesisë është dashur të zhvendosen në QKUK, në mënyrë që të zhvillohet kjo seancë ndaj të dyshuarve në rastin e cilësuar si “Vrasje në bashkëkryerje”.

Në kuadër të këtij rasti pas përfundimit të seancës, Gjykata Themelore vendosi për 30 ditë paraburgim për pesë të dyshuarit. Si të përfshirë në këtë rast dyshohet se janë edhe disa persona që vazhdojnë të jenë në arrati.

Por, njëri nga personat kyç të këtij rasti e që tashmë ka ndërruar jetë është Premtim Gashi. Gashi njëherësh nuk është emër i panjohur për organet e hetuesisë. Madje ai ishte emër i njohur edhe për Policinë, Prokurorinë e deri tek gjyqësori.

Lajmi.net mësoi se Premtin Gashi kishte pak javë prej kur ishte liruar me lirim me kusht në kuadër të drejtësisë në vend.

Madje kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas gjykatës është e vërtetë se i njëjti ishte liruar me datë 13 gusht 2024, sipas një Aktvendimi të Panelit për Lirim me Kusht.

Por nga Gjykata kanë bërë të ditur se në lidhje me këtë lirim më tepër mund të dije vetë Këshillit Gjyqësor i Kosovës, e të cilët deri në momentin e publikimit nuk kanë kthyer përgjigje.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se i dënuari P.G është liruar me datë 13.08.2024, sipas Aktvendimit të Panelit për Lirim me Kusht, i cili funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, andaj për më shumë mund ti drejtoheni KGJK-së”,thuhet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Por për çfarë po njihej nga organet e drejtësisë Premtim Gashi?

Lajmi.net ka arritur të sigurojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të lëshuar më 4 nëntor 2020.

Sipas këtij aktgjykimi, Premtim Gashi po akuzohej për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, bashkë me vëllain e tij (emër i njohur për redaksinë).

Më datë 20.10.2019, në orët e vona të natës, në restorantin “Amsterdam” në Graçanicë, i pandehuri me pushkë automatike ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

“Pasi që vëllai i të pandehurit, bashkë me bashkëshorten e tij paraprakisht kishin shkuar në atë lokal në gjendje të dehur dhe ishte fjalosur me të dëmtuarin A.D.,i cili me telefon e kishte thirrur djalin e axhës P., A.G dhe e kishte kërkuar nga ai që të shkon dhe të merr P., pasi që i njëjti në gjendje të dehur e kishte shqetësuar mysafirët, ku pas një kohe në vendin e ngjarjes kanë shkuar i pandehuri P.G, së bashku me vëllain e tij P., ishin futur në lokal dhe kishin qëndruar një kohë dhe në momentin kur kanë filluar të dalin nga lokali, në korridor P.G, në gjendje të dehur ka filluar ti shqetësoj mysafirët, duke i sharë dhe shtyrë. I pandehuri P., Del në oborr, merr armën automatike nga bagazhi i veturës, derisa ishte në oborr shtinë tri herë në ajër, futet në korridorin e lokalit ku shtinë 4 herë brenda në korridor në të cilën kishte numër të madh të personave me ç’rast plagë të rënda kanë pësuar tani të dëmtuarit GJ.GJ, dy plagë nën gju dhe një mbi gjurin në këmbën e djathtë, Sh.I, në të dy këmbët nën gju dhe lëndime të lehta trupore L.D mbi zogun e këmbës së djathtë”.

I njëjti pa autorizim kishte poseduar armën automatike, me të cilën e ka kryer veprën penale.

Kësisoj Premtim Gashi ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një viti, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 22.11.2019 deri më 22.02.2020 dhe për veprën penale nën pikën II, dënim me gjobë në shumë prej pesëqind euro gjobë, e që obligohej ta paguante prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij të aktgjykimi.

Nga ky rast ishte konfiskuar arma e tipit “M70” dhe një karikator i zbrazët, raporton lajmi.net.

Ndërsa në kuadër të zhvillimeve të këtij rasti, i pandehuri Gashi ishte deklaruar fajtor për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

“Prokurori i shtetit, me rastin e marrjes së vendimit për dënimin i ka propozuar gjykatës, që si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë, faktin se është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin. Ndërsa si rrethanë rënduese ka propozuar që të merret shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Kurse i pandehuri i ka propozuar Gjykatës, që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin të merren parasysh rrethanat e cituara më lartë nga mbrojtësi, duke shtuar se ajo çfarë ka ndodhur ka qenë rastësisht, ashtu që ka propozuar që ti shqiptohet një dënim më i butë.

Kësisoj në bazë të lehtësimit të vendimit për Premtim Gashin, i njëjti kishte arritur që sërish t’i kthehej lirisë.

Por, duke mos zgjatur shumë, ai i është rikthyer avazit të vjetër të përdorimit të armës dhe problemeve me familjen Sekiraqa.

Kësisoj si shkak i problemeve të vazhdueshme ai mbeti i vrarë natën kritike të të shtënave me armë zjarri në Aktash.

Madje ai humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa thuhet se trupi i tij ishte i vendosur mbi armën e zjarrit të llojit AK-47.

E ngjashme situata doli të jetë edhe të dielën vonë, kur Premtim Gashi bashkë me vëllain tjetër tani, Korab Gashi ishin maskuar e armatosur deri në dhëmbë që të futeshin në një prej lokaleve të kryeqytetit për të gjuajtur me armë zjarri.

Kallashnikov e pistoleta të shumta u përdorën gjatë të shtënave me armë zjarri si nga vëllezërit Capaj me miq, po ashtu dhe nga familja Sekiraqa me disa persona të tjerë prezentë.

Këto të shtëna me armë zjarri sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prishtinë dyshohet të ishin planifikuar.

Lajmi.net ka siguruar edhe dosjen e këtij rasti ku ndër të tjerash bëhet e ditur se të dyshuarit nga familja Capaj kishin për qëllim që të linin të vdekur të dyshuarin tjetër, Salih Sekiraqa.

Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Faton  Abazi janë të përfshirë në këtë rast e të cilët tashmë janë nën masat policore.

Në arsyetim të këtij rasti ndër të tjerash thuhet se “ Ekziston dyshimin se në lokalin “From” dhe jashtë tij për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe raporteve të përkeqësuar në mes të tani të pandehurve Korab Gashi dhe Salih Sekiraqa përkatësisht familjeve të të njëjtëve Gashi  dhe Sekiraqa nga Prishtina, me qëllim të qerimit të hesapeve mes tyre, fillimisht i pandehuri Korab Gashi dhe tani i ndjeri Premtim Gashi, të maskuar e të pajisur me armë zjarri pa leje në bashkëkryerje dhe me qëllimin që të privojnë nga jeta tani të pandehuri Salih Sekiraqa djalin e tij të mitur SH.S, dhe të pandehurin Faton Abazi, e më pas i pandehuri Korab Gashi  dhe tani i ndjeri Premtim Gashi veprojnë si në mënyrën e lartcekur fillojnë tërheqjen nga brenda lokalit-kafiterisë, në rrugën “Gazmend Zajmi” ku iu bashkohet edhe i pandehuri Valdrin Ademi dhe persona të tjerë të dyshuar, të panjohur vazhdojnë përleshjen me të pandehurin Salih Sekiraqa dhe Faton Abazi të cilëve iu bashkohet dhe i pandehuri Robert Llumnica u shkaktojnë lëndime trupore për çka menjëherë pas arritjes së të pandehurit të panjohur dy prej tyre përmes përdorimit të mjetit motorit me katër rrota largohen në drejtim ët pjesës së epërme të rrugës “Gazmend Zajmi” dhe të tjerët largohen nga pjesa anësore e epërme e lokalit -kafiterisë “From”.

Duhet theksuar se ky rast u cilësua si “Vrasje në bashkëkryerje” si dhe Prokuroria tashmë ka kërkuar caktimin prej 30 ditësh të masës së paraburgimit./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi