Çatia e rinovuar e Kapaliçarshisë në Istanbul, e hapur për vizitorët nëpërmjet turneve

Turistët nga e gjithë bota zbulojnë Istanbulin nga një këndvështrim tjetër me turne të veçanta të organizuara në çatinë e rinovuar të strukturës së famshme.

Çatia e rinovuar e Pazarit të Mbyllur historik (Kapaliçarshi) në Istanbul është hapur për vizitorët përmes turneve.

Punimet restauruese janë duke u zhvilluar në strukturë, e cila vizitohet shpesh nga turistët me teksturën e saj historike dhe gjallërinë intensive tregtare.

Turistëve vendas dhe të huaj u mundësohet të zbulojnë Istanbulin nga një këndvështrim tjetër me turne të veçanta të organizuara në çatinë e rinovuar të Kapaliçarshisë, e cila i ngjan një labirinti gjigant me arkitekturën e saj, me 3.600 dyqane, 22 porta dhe 14 bujtina në një zonë të mbyllur prej rreth 45.000 metrash katrorë.

Turistët nga e gjithë bota, të cilët shohin një pamje unike të qytetit dhe Bosforit në shtigjet e çatisë, të quajtura shtigje macesh, ndajnë fotografitë që shkrepin në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.

Fatih Kurtulmuş, kryetar i bordit të Kapaliçarshisë, tha për Anadolu se faza e parë e restaurimit të ndërtesës ka përfunduar dhe se pjesa tjetër e restaurimit është ende duke u zhvilluar, ndërsa çatia ka përfunduar.

Kurtulmuş theksoi se ideja e turizmit mbi çati lindi me procesin e restaurimit të pazarit.

“Pas përfundimit të restaurimit të çatisë, ideja për ta ndarë këtë bukuri me njerëzit tanë dhe turistët u shpreh intensivisht mes miqve tanë”, tha ai.

“Mbizotëroi ideja për t’ia paraqitur atë botës së jashtme dhe vendit tonë me një përshtypje të bukur. Ne morëm masa për këtë. Pas vendosjes së rregullave dhe rregulloreve të nevojshme vazhduam tutje”, shtoi Kurtulmuş.

“Çdo turist që erdhi ishte i kënaqur, sepse kishin mundësi ta shihnin Istanbulin nga një këndvështrim tjetër”, u shpreh më tej ai.

Duke theksuar se turnetë në çati të organizuara përmes agjencive zgjasin 20 minuta në grupe prej dhjetë personash, Kurtulmuş tha se kanë marrë reagime të mira për projektin.

Duke nënvizuar se shumë njerëz e kanë vizituar çatinë, ai tha se Kapaliçarshia ka pritur 44 milionë vizitorë vitin e kaluar dhe se objektivi i tyre është 50 milionë turistë.

Kurtulmuş tha se oferta për xhirime të serialeve dhe filmave në këtë lokacion vazhdojnë të vijnë intensivisht, duke kujtuar se “Skyfall”, një nga filmat e serisë “James Bond” me aktorin e njohur Daniel Craig, është xhiruar në çatinë e Pazarit të Mbyllur.

“Mendojmë se në të ardhmen do të ketë sërish xhirime të tilla (filmash). Sigurisht, në përputhje me rregullat e këtij lokacioni, ne mendojmë se këto projekte do të vazhdojnë edhe këtu nëse mund të jetë në kushte të përshtatshme pa e dëmtuar çatinë”, nënvizoi ai.

Kategoritë
BotaLajme