Çavuşoğlu homologut izraelit: I papranueshëm provokimi i ministrit të sigurisë në Al-Aksa

Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në telefonatën me kryediplomatin izraelit Eli Cohen ka rikujtuar ndjeshmëritë dhe pritshmëritë e vendit në lidhje me çështjen palestineze.

Në një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, ministri i Jashtëm i Türkiye-s Mevlüt Çavuşoğlu tha se veprimi provokues i ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare kundër Xhamisë Al-Aksa është “i papranueshëm”, tranmseton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme turke, Çavuşoğlu në telefonatën me kryediplomatin izraelit Eli Cohen ka rikujtuar ndjeshmëritë dhe pritshmëritë e vendit në lidhje me çështjen palestineze.

“Ne i konsiderojmë të papranueshme veprimet provokuese të ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, kundër Xhamisë Al-Aksa”, ka thënë Çavuşoğlu.

Türkiye pret që “të shmangen të gjitha llojet e veprimeve provokuese” ka theksuar Çavuşoğlu, duke nënvizuar rëndësinë që Ankaraja i kushton ruajtjes së statusit të Xhamisë Al-Aksa.

Shefi i diplomacisë turke gjithashtu ka përgëzuar Cohen-in për marrjen e detyrës.

Për myslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme