Çavuşoğlu i quan “të pafata” deklaratat e Macron-it në Algjeri

“Nëse Franca e ka të vështirë të kthehet në disa vende afrikane, ne mund ta ndihmojmë Francën, sepse Türkiye është një partner i besueshëm”, tha kryediplomati turk

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se deklaratat e fundit të presidentit francez Emmanuel Macron në Algjeri ishin “të pafata”, pasi siç u shpreh ai, Türkiye nuk sheh asnjë vend si konkurrent në Afrikë apo në vende të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

“Türkiye është ndër vendet kryesore që vendet tjera i besojnë. Prandaj nuk është e drejtë të shihet Türkiye si një konkurrente”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me Catherine Colonna, ministren e Jashtme franceze.

Gjatë vizitës tre-ditore të zhvilluar në Algjeri javën e kaluar, Macron tha se rrjetet me origjinë nga Rusia, Kina dhe Türkiye po kryejnë “propagandë anti-franceze” në Afrikë.

Duke vënë në dukje se Türkiye e sheh kontinentin afrikan si një partner të barabartë, Çavuşoğlu tha: “Nëse Franca e ka të vështirë të kthehet në disa vende afrikane, ne mund ta ndihmojmë Francën, sepse Türkiye është një partner i besueshëm”.

Çavuşoğlu tha gjithashtu se vendi i tij pret që të merren masat e nevojshme për sigurinë e xhamive në Francë, si dhe grupeve të komunitetit turk dhe musliman.

Ministrja franceze Colonna nga ana e saj përgëzoi homologun turk për “suksesin e rëndësishëm” të Ankarasë në zhbllokimin e dërgesave të drithërave ukrainase këtë korrik.

Duke folur për marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Türkiye në Istanbul, ajo tha se mund të arrihet një marrëveshje tjetër energjetike nën OKB-në në kohën kur po vazhdon lufta në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme