Çavuşoğlu në Zagreb: Turqia mbështet stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit

Kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, njoftoi në Zagreb vizitën e shpejtë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Kroaci dhe tha se vendi i tij mbështet paqen dhe stabilitetin në rajon

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, njoftoi në Zagreb vizitën e shpejtë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Kroaci dhe tha se vendi i tij mbështet paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm kroat, Gordan Grlic-Radman, Çavuşoğlu vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe ndihmën e ndërsjellë gjatë tërmeteve dhe zjarreve në pyje dhe tha se do të punojë së bashku për të përmirësuar marrëdhëniet në çdo pikëpamje.

Ai kujtoi se vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve është vazhdimisht në rritje dhe se vëllimi i synuar do të jetë pesë miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme.

“Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë sipërmarrësit kroatë që të investojnë në Türkiye, si dhe ata turq në Kroaci”, tha Çavuşoğlu, duke përmendur industrinë e mbrojtjes si një zonë të mundshme për nxitjen e bashkëpunimit.

Ministri turk vuri në dukje rëndësinë e stabilitetit të rajonit. “Ne nënvizuam edhe një herë rëndësinë e paqes, stabilitetit dhe integritetit territorial të BeH-së dhe do të vazhdojmë dialogun në nivel dypalësh dhe trepalësh. Qëndrimi i Türkiye në lidhje me rajonin dhe veçanërisht BeH është i qartë. Mbështesim stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, veçanërisht të BeH-së, mbështesim integritetin e BeH-së”, tha Çavuşoğlu.

Ai kujtoi takimin e fundit me anëtarin e Presidencës së BeH-së Milorad Dodik në Stamboll, duke theksuar se Türkiye ka një raport të barabartë me të gjitha partitë në BeH dhe “i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë”.

Çavuşoğlu tha se zgjedhjet në BeH duhet të mbahen në kohën e caktuar.

Lidhur me paraqitjen e projeksioneve të të ashtuquajturave emblema të organizatës terroriste PKK në ndërtesat në Stokholm, kryeqyteti i Suedisë, Çavuşoğlu kujtoi se këto pamje u shfaqën fillimisht në rrjetet sociale dhe tha se shërbimet kompetente kanë konfirmuar se ka ndodhur me të vërtetë.

“Kjo tregon se sa të pamjaftueshme janë ligjet suedeze në luftën kundër terrorizmit. Organizata terroriste PKK është një kërcënim edhe për interesat kombëtare të Suedisë dhe shohim se po mban peng autoritetet suedeze. Prandaj ne duam të shohim hapa konkretë nga Suedia kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit. Për sa i përket Suedisë dhe Finlandës dhe anëtarësimit të tyre në NATO, delegacioni turk do të jetë në Bruksel, por ne tashmë ia kemi shprehur vendosmërinë për këtë çështje NATO-s dhe të dy vendeve”, tha Çavuşoğlu.

Pas Zagrebit, ministri turk i Punëve të Jashtme do të udhëtoj në Sarajevë, e më pas do të vizitojë Prishtinën, duke përmbyllur kështu turneun rajonal që përfshin edhe Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
BotaLajme