Çavuşoğlu: Türkiye nuk ka kryer asnjë sulm ndaj civilëve në Irak

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se forcat turke shënjestrojnë vetëm organizatat terroriste.

Ministri turk i Punëve të Jashteme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Türkiye nuk ka kryer asnjë sulm ndaj civilëve në provincën Duhok të Irakut verior, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sipas informacioneve që kemi marr nga Forcat e Armatosura Turke, ne nuk kemi kryer asnjë sulm ndaj civilëve”, tha Çavuşoğlu në një intervistë të drejtpërdrejtë për transmetuesin turk TRT Haber.

Deklaratat e ministrit Çavuşoğlu erdhën një ditë pas një sulmi në qarkun Zakho të Duhokit, ku u vranë tetë persona.

Në një deklaratë të publikuar pas sulmit të së mërkurës, Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiye-s u kërkoi zyrtarëve të qeverisë irakiane që të mos bëjnë deklarata për sulmin në Duhok “nën ndikimin e retorikës dhe propagandës” të organizatës terroriste PKK.

Ndërkohë, burimet turke të sigurisë hodhën poshtë raportet “që mbështesin organizatën terroriste PKK/KCK”, të cilat pretendonin se civilët humbën jetën për shkak të “granatimeve” nga forcat turke.

“Ne kemi njoftuar se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me autoritetet irakiane pas sulmit të pabesë për të cilin ne mendojmë se është kryer nga organizatat terroriste. Ne hedhim poshtë deklaratat e autorizuara dhe të paautorizuara në lidhje me Türkiye-n”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se propaganda e PKK-së në Irak vjen në një kohë kur Türkiye është gati të nisë një operacion të ri në Sirinë veriore, duke shtuar se autoritetet irakiane nuk duhet të bien në grackën e grupeve terroriste.

Türkiye, tha ai, do të vazhdojë luftën e saj kundër terrorizmit në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke shënjestruar vetëm organizatat terroriste.

Kategoritë
BotaLajme