Çavusoglu: Turqia mbështet zgjidhjen politike të krizës në Siri

“Regjimi (sirian) nuk beson në zgjidhje politike, ai beson në zgjidhje ushtarake. Zgjidhja e përhershme është një zgjidhje politike. Ne e kemi thënë atë që nga fillimi”, tha Çavuşoğlu

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij gjithmonë ka mbështetur zgjidhje politike të konfliktit sirian, raporton Anadolu Agency (AA).

“Regjimi (sirian) nuk beson në zgjidhje politike, ai beson në zgjidhje ushtarake. Zgjidhja e përhershme është një zgjidhje politike. Ne e kemi thënë atë që nga fillimi”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media në kryeqytetin Ankara me homologun e tij letonez, Edgars Rinkēvičs.

Çavuşoğlu theksoi se Türkiye beson se pajtimi është thelbësor për paqen e qëndrueshme në Siri, duke shtuar se Ankaraja mbështet fuqishëm integritetin territorial dhe sovranitetin e Sirisë.

Ai shtoi se nuk është hera e parë që regjimi dhe opozita në Siri vijnë në një pikë.

“Ne kemi dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për këtë. Pse… sepse opozita na beson. Ne kurrë nuk e kemi zhgënjyer opozitën. Ne themi se ky pajtim është thelbësor për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Siri”, u shpreh Çavuşoğlu.

Lidhur me përpjekjen e fundit për të djegur flamurin turk në veri të Sirisë, Çavuşoğlu tha se, “Ne e dimë se kush janë autorët. Dora e atyre që shtrijnë dorën drejt flamurit tonë do të thyhet gjithashtu. Vetë sirianët kanë bërë tashmë shpjegimet e nevojshme, duke përfshirë qeverinë e përkohshme. Ata i njohin këta provokatorë”.

Më herët, ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, njoftoi se pas incidentit janë arrestuar dy persona.

Siria që nga fillimi i vitit 2011 është zhytur në një luftë të egër civile, kur regjimi i Bashar al-Assadit shtypi protestat pro-demokratike.

Vlerësimet e Kombeve të Bashkuara (OKB) tregojnë se që nga viti 2011 mbi 8 milionë sirianë ose janë zhvendosur brenda vendit ose janë bërë refugjatë në vende të tjera.

Lidhur me grupin terrorist PKK, Çavuşoğlu tha se, “Në Siri ekziston një organizatë terroriste që gjithashtu na kërcënon, PKK/PYD/YPG. (Ata janë) E njëjta organizatë terroriste. Këta terroristë dhe mbetjet e DEASH-it dhe organizatave të tjera radikale terroriste duhet të jenë pastruar plotësisht nga ky vend”.

Ai theksoi se kjo është e rëndësishme për sigurinë e Türkiye-s dhe stabilitetin e Sirisë.

– Eksportet e grurit nga Ukraina

Për eksportet e grurit nga portet ukrainase sipas marrëveshjes historike midis Türkiye-s, OKB-së, Rusisë dhe Ukrainës, Çavuşoğlu tha se marrëveshja deri më tani po zbatohet pa asnjë problem.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të vazhduar procesin”, shtoi ai.

Më 22 korrik, Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rihapur tre porte ukrainase të Detit të Zi për eksportimin e grurit ukrainas të bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, e cila tani është në muajin e saj të gjashtë.

Për të mbikëqyrur procesin, më 27 korrik zyrtarisht u formua Qendra e Përbashkët e Koordinimit në Istanbul, e përbërë nga përfaqësues të tre vendeve dhe nga OKB-ja për të mundësuar transportin e sigurt të produkteve ushqimore dhe plehrave nga anijet tregtare.

Që nga nisja e parë më 1 gusht, gjithsej 21 anije që transportonin grurë janë larguar nga portet e Ukrainës sipas marrëveshjes historike.

Ministri Rinkēvičs, nga ana e tij, tha se eksportimi i grurit nga Ukraina nuk është i rëndësishëm vetëm për rajonin, por edhe për botën. Ai shtoi se Letonia do të vazhdojë bashkëpunimin në këtë drejtim.

Ai tha se Letonia mbështet fuqishëm Ukrainën në luftën kundër Rusisë, duke theksuar: “Ne duhet të ndalojmë agresionin rus”.

Marrëdhëniet me Letoninë

Çavuşoğlu tha se Ankaraja dhe Riga gëzojnë marrëdhënie “të frytshme”, duke shtuar se të dy vendet i kushtojnë rëndësi dialogut politik për të rritur bashkëpunimin bilateral.

“Ne po bëjmë gjithashtu përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet tona ekonomike. Prandaj, pavarësisht pandemisë, vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me rreth 50 për qind vitin e kaluar. Kur shikojmë gjashtë muajt e parë të këtij viti, kjo rritje vazhdon”, njoftoi Çavuşoğlu.

Ai theksoi se turistët letonezë zgjedhin Türkiye-n për pushime dhe tha se, “Fakti që turistët letonezë vazhdojnë të vijnë në vendin tonë dhe që numri i tyre rritet është i dobishëm për të dyja palët”.

Rinkēvičs, nga ana tjetër, tha se Türkiye është një “aleate e vlefshme” e Letonisë.

Ai shtoi se ka potencial për të rritur bashkëpunimin ekonomik midis Ankarasë dhe Rigës.

Kategoritë
BotaLajme