Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë detyruar palestinezët të hyjnë në shtëpi dhe tunele potencialisht të minuara në Gaza, duke i përdorur ata si mburojë për të shmangur rrezikun për ushtarët e tyre.
Këtë e raportoi CNN të enjten, duke iu referuar një ushtari izraelit dhe pesë ish-të burgosurve palestinezë, të cilët deklaruan se ishin të ekspozuar ndaj kësaj praktike.
Ushtari zbuloi se njësia e tij kishte arrestuar dy palestinezë me qëllimin e qartë për t’i përdorur si mburojë të gjallë gjatë kalimit nëpër zona të rrezikshme, duke theksuar se kjo praktikë është e zakonshme midis njësive izraelite në Gaza.
“Ne u thamë atyre të hynin në ndërtesë para nesh. Nëse ka mina, ato do të shpërthejnë mbi ta dhe jo mbi ne,” deklaroi ai për CNN.
Kjo metodë njihet si “Protokolli i mushkonjave,” sipas raportit.
CNN theksoi se përmasat e plota të kësaj praktike nga IDF nuk janë plotësisht të njohura. Megjithatë, dëshmitë e ushtarëve dhe pesë civilëve tregojnë se ishte e përhapur në të gjithë Rripin e rrethuar të Gazës, veçanërisht në veri të Gazës, Khan Younis dhe Rafah.
Protokolli i mushkonjave
Intervistat që CNN zhvilloi me pesë palestinezë konfirmojnë dëshminë e ushtarit izraelit, ku secili prej tyre tregoi se si forcat izraelite i kishin kapur dhe i kishin detyruar të hynin në zona potencialisht të rrezikshme para ushtarëve.
Më herët këtë vit, sulmet ajrore izraelite detyruan 20-vjeçarin Mohammed Saad të linte shtëpinë e tij në Jabaliya, në veri të Gazës. Ndërsa qëndronte në një strehim të përkohshëm pranë Khan Younis, Saad tregoi se si forcat izraelite e kishin kapur pranë Rafahut ndërsa përpiqej të siguronte ndihmë ushqimore për veten dhe vëllezërit e motrat e tij më të vegjël.
“Forcat na futën në një xhip dhe përfunduam brenda një kampi ushtarak në Rafah. Na veshën me uniforma ushtarake, na vendosën kamera dhe na dhanë mjete për të prerë metal,” tha Saad.
Foto: Breaking the Silence
Ai shtoi se kishte qëndruar aty për 47 ditë dhe gjatë kësaj kohe ishte përdorur për misione zbulimi për të mbrojtur ushtarët izraelitë.
“Na kërkonin të bënim gjëra si: ‘Zhvendos këtë tapet,’ duke thënë se po kërkonin tunele. ‘Filmo nën shkallë,’ thoshin. Nëse gjenin diçka, na kërkonin ta nxirrnim jashtë. Për shembull, na kërkonin të nxirrnim gjëra nga shtëpia, të pastronim këtu, të zhvendosnim divanin, të hapnim frigoriferin ose dollapin,” theksoi Saad.
IDF nuk kurseu as të miturit, vuri në dukje CNN, pasi 17-vjeçari Mohammed Shbeir tregoi se si ushtarët izraelitë e kishin kapur pasi kishin vrarë babanë dhe motrën e tij gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tyre në Khan Younis.
“Isha me duar të lidhura dhe vetëm me të brendshme. Më përdorën si mburojë të gjallë, duke më çuar nëpër shtëpi të shembura, vende që mund të ishin të rrezikshme ose që përmbanin mina,” tha Shbeir.
Në një raport të ngjashëm më herët këtë muaj, një hetim i New York Times zbuloi se ushtarët izraelitë dhe agjentët e inteligjencës detyronin palestinezët e kapur në Gaza të kryenin misione të rrezikshme zbulimi për të mbrojtur jetët e ushtarëve izraelitë në front.
Raportet nga Gaza flasin se të burgosurit palestinezë janë detyruar të eksplorojnë zona ku ushtria izraelite dyshonte se luftëtarët e rezistencës mund të kishin vendosur kurthe ose prita.
Shtatë ushtarë izraelitë të intervistuar nga NYT konfirmuan se kishin qenë dëshmitarë ose pjesëmarrës në këtë praktikë rutinë, të cilën e përshkruan si të organizuar dhe të mbështetur nga ushtria.
Në një incident, njësi izraelite detyroi një grup palestinezësh të zhvendosur të ecnin para tyre ndërsa përparonin drejt një strehe militantësh në qendër të Gaza City, siç përshkroi Jehad Siam, një dizajner grafik palestinez 31-vjeçar që ishte pjesë e këtij grupi.
NYT gjithashtu përmendi dy ushtarë izraelitë që thanë se disa oficerë të rangut të ulët përpiqeshin ta justifikonin këtë praktikë duke pohuar gabimisht se të burgosurit ishin “terroristë” dhe jo civilë të mbajtur pa akuza.