Çfarë përfshijnë sanksionet kundër Dodikut ?

Pas listës së sanksioneve të reja të publikuar sot nga Departamenti amerikan i Thesarit, ku përfshiheshin Milorad Dodik dhe televizioni “Alternativa” i kontrolluar prej tij, Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur detaje për pasojat e sanksioneve të vendosura.

Sanksionet e reja përfshijnë bllokimin e aseteve dhe llogarive bankare.

“Si rezultat i aksionit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në pronë të të sanksionuarve të listuar më sipër që ndodhen në SHBA ose apo kontrollohen nga një shtetas amerikan janë bllokuar dhe duhet të raportohen në OFAC (Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja)”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit.

Gjithashtu u theksua se sanksionet përfshijnë lloje të tjera ndalimesh.

“Të gjitha transaksionet e kryera nga qytetarët e SHBA-së, ose brenda Shteteve të Bashkuara (ose në tranzit përmes Shteteve të Bashkuara) që përfshijnë çdo pronë ose të drejtë pronësie të personave të listuar ose të sanksionuar ndryshe janë përgjithësisht të ndaluara, përveç rastit kur OFAC ka lëshuar një leje ose përjashtim të përgjithshëm ose specifik. Ndalimet zbatohen për kontributin ose dhënien e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për ose në dobi të çdo personi të sanksionuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose fondi, mallrash ose shërbimesh nga një person i tillë”, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme