Çfarë thotë draft-statuti i Asociacionit i paraqitur mbrëmë para Kurtit dhe BE-së

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar më 2 maj në Bruksel, ka 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare.

Ky draft-statut, i hartuar nga Ekipi Menaxhues – i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb – u prezantua gjatë një takimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së.

Kurti e refuzoi dokumentin, duke thënë se nuk është në përputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës.

Vuçiq tha se është “shumë i shqetësuar”, sepse është e qartë se “Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë” për formimin e Asociacionit.

Çfarë është Asociacioni?

Sipas draft-statutit të prezantuar, në të cilin REL-i siguroi qasje, Asociacioni do të jetë një “formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave” të të gjithë banorëve dhe komuniteteve që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit.

Qendra administrative e tij, bazuar në draft-statutin e prezantuar, është Mitrovica e Veriut. Komunat jothemeluese mund të anëtarësohen në Asociacion nëse Kuvendi i Asociacionit jep dritën e gjelbër.

Draft-statuti thotë se Kuvendi i Asociacionit, i zgjedhur nga komunat anëtare, është organi suprem i Asociacionit. Çdo komunë do të kishte pesë përfaqësues.

Bordi i Asociacionit, i përbërë prej shtatë anëtarësh, është organi ekzekutiv i Asociacionit, i zgjedhur nga Kuvendi, të cilit i raporton.

Asociacioni ka kryetarin e tij, të zgjedhur nga Kuvendi, që i përfaqëson komunat.

Bazuar në draft-statutin e prezantuar në Bruksel, Asociacioni duhet ta ketë edhe një Këshill të Asociacionit si organ këshillues.

Gjithashtu është paraparë që Asociacioni ta ketë administratën e vet, e cila i raporton Bordit.

Statuti parasheh që Asociacioni t’i ketë simbolet, himnin, flamurin dhe stemën e vet.

Në bazë të tij, Asociacioni do ta mbajë statusin e një entiteti juridik dhe do ta ketë të drejtën e padisë ose të paditet, të ketë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, bashkëpronarë që ofrojnë shërbime lokale dhe të lidhë kontrata.

Marrëdhëniet me autoritetet qendrore parashihet të jenë “të bazuara në parimet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimit të informacionit”, “duke promovuar interesat e komunitetit serb”. Asociacioni ka të drejtë të propozojë ndryshime në ligje, si dhe të propozojë përfaqësues në organet dhe institucionet kompetente të organeve qendrore.

Draft-statuti parasheh që Asociacioni të krijojë institucione të reja dhe “t’i menaxhojë dhe të bëjë mbikëqyrje të plotë mbi institucionet ekzistuese – themeluese e të cilave është Republika e Serbisë – në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, mbrojtjes shëndetësore, kujdesit social”.

Asociacioni do të miratojë statutin, vendimet e Kuvendit, rezolutat, rekomandimet, konkluzionet dhe gjëra të tjera të ngjashme.

Cilat janë kompetencat?

Ndër kompetencat e përmendura në draft-statut thuhet se Asociacioni, përmes organeve të tij, do të miratojë vendime të Kuvendit e rregullore, do ta mbikëqyrë zbatimin e ligjeve, do t’i rregullojë zgjedhjet, do të bëjë riorganizimin dhe funksionimin e organeve, agjencive, ndërmarrjeve publike, do të bëjë mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave statistikore, do të propozojë referendume, do të vendosë për huamarrjen financiare, do të miratojë buxhetin dhe bilancin vjetor, do të themelojë organizata, agjenci, ndërmarrje dhe institucione publike, fonde, institucione financiare dhe do ta mbikëqyrë punën e tyre.

Draft-statuti, gjithashtu, parashikon që Asociacioni t’i regjistrojë votuesit, të mbajë regjistrat e lindjeve, martesave dhe vdekjeve. Neni 15 përshkruan se si Asociacioni do të bëjë një përmbledhje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, kujdesit shëndetësor, mirëqenies sociale dhe planifikimit urban dhe rural.

Draft-statuti, gjithashtu, parasheh që Asociacioni ta emërojë komandantin rajonal të policisë për katër komunat në veri.

Tutje, ai parasheh që Kuvendi i Asociacionit mund të shpallë referendum me iniciativën e tij, për çështje brenda kompetencave të veta, ndërsa është i obliguar të shpallë referendum me kërkesë të 10 për qind të votuesve që banojnë në territorin e komuniteteve pjesëtare të Asociacionit.

Asetet dhe të ardhurat

Asociacioni duhet ta ketë buxhetin e vet, ku do të shënohen të gjitha të ardhurat dhe përfitimet.

Draft-statuti parasheh që Asociacioni të gjenerojë të ardhura bazuar në pjesëmarrjen e komunave anëtare, nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, taksat dhe tarifat, si dhe nga fondet e ndara nga buxheti i Serbisë.

Drafti parasheh që burimet natyrore që gjenden në territorin e komunave anëtare të Asociacionit, të menaxhohen nga Asociacioni, ashtu si edhe asetet me interes, si: tokat bujqësore, pyjet dhe ujërat tokësore.

Kategoritë
LajmeVendi