Charles III i Britanisë gjithashtu u shpall Mbret i Australisë dhe Zelandës së Re

Charles u ngjit në fron pas vdekjes së nënës së tij Mbretëreshës Elizabeth II më 8 shtator.

Përveç Mbretërisë së Bashkuar, Mbreti Charles III u shpall zyrtarisht edhe mbret i shtetit të Australisë dhe Zelandës së Re, njoftuan mediat lokale të dielën.

Sipas transmetuesit publik të Australisë ABC, shpallja në vend u bë nga Guvernatori i Përgjithshëm David Hurley.

“Për shkak të vdekjes së Mbretëreshës sonë të bekuar dhe të lavdishme Elizabeth II, kurora i përket vetëm dhe me të drejtë Princit Charles Philip Arthur George”, deklaroi Hurley.

Deklarata u nënshkrua nga Hurley dhe u rinënshkrua nga kryeministri Anthony Albanese.

Albanese shtoi se shpallja e parë e një monarku të ri në jetën e tij, dhe në jetën e shumicës së australianëve, “është një ngjarje historike”.

Ndërkaq, ceremoni e veçantë shpalljeje për Mbretin Charles III u mbajt në kryeqytetin e Zelandës së Re, Wellington, raportoi kanali televiziv 1 News.

Zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministren Jacinda Ardern dhe guvernatoren e përgjithshme Cindy Kiro, u mblodhën në parlament për të shënuar shpalljen e mbretit të ri.

“Sot ne përkujtojmë vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II dhe njohim djalin e saj Mbretin Charles III si sovranin tonë”, tha Ardern.

Kiro, nga ana e saj, tha se “shumë zelandezë do të kenë kujtime të këndshme nga vizitat e Mbretëreshës Elizabeth në Zelandën e Re gjatë mbretërimit të saj, për ngrohtësinë dhe hijeshinë e pranisë së saj”, duke shtuar se “sot, mbi këto themele, ne dëshmojmë për një moment tjetër me rëndësi të thellë historike për Aotearoa Zelandën e Re”.

Monarkja më sundmigjatë e Britanisë, Mbretëresha Elizabeth II, vdiq në moshën 96-vjeçare më 8 shtator.

Ajo u pasua nga djali i saj Charles.

Kategoritë
BotaLajme