E ardhmja e Romelu Lukakut është ende e paqartë, edhe pse largimi i tij nga Chelsea është mëse i sigurt.
Sulmuesi belg ka oferta të shumta kryesisht nga Arabia Saudite, por ai ka refuzuar të transferohet në Lindjen e Mesme.
Aston Villa ka arritur marrëveshje me Chelsean, por belgu ka refuzuar edhe transferimin në Villa Park pasi dëshira e tij e vetme është Napoli.
Lukaku dëshiron të rikthehet në Itali pas një viti të kaluar si i huazuar te Roma dhe tanimë i ka dhënë fjalën trajnerit Antonio Conte se do t’i bashkohet te Napoli.
Megjithatë Chelsea nuk po heq dorë lehtë për Lukakun, pasi tanimë i ka bërë të qartë Napolit se nëse e duan sulmuesin belg duhet të paguajnë 43 milionë euro.
Calciomercato ka raportuar se kërkesat e Chelseat për Lukakun kanë tronditur drejtuesit e Napolit.
Megjithatë dy klubet po vazhdojnë bisedimet dhe mund të arrihet një marrëveshje, pasi Chelsea po kërkon transferimin e Victor Osimhen nga Napoli.