Ylli i Liverpoolit, Federico Chiesa raportohet se po synon që të sigurojë largimin nga ‘Anfield’ gjatë muajit të ardhshëm.
Në atë që ishte një afat kalimtar veror tejet i qetë për Liverpooli, Chiesa ishte blerja e vetme pasi ai u pajtua të largohej nga Juventusi për të veshur fanellën e tyre.
‘Të Kuqtë’ gjithashtu siguruan edhe shërbimet e portierit të Valencias, Giorgi Mamardashvili, por ai nuk do të bëhet pjesë e tyre deri në verë.
Pasi iu bashkua gjatë verës, Chiesa ka hasur në vështirësi që të paraqitet për klubin e tij të ri për shkak se i mungonte forma fizike dhe kishte lëndime të vazhdueshme.
27-vjeçari ka vetëm një paraqitje si titullar për Liverpoolin, e cila erdhi në fitoren me rezultat 5-1 ndaj West Hamit në shtator, aty ku italiani pati një asistim.
Në total, Chiesa ka arritur që të marrë vetëm 123 minuta në katër ndeshje të luajtura në të gjitha garat.
Me afatin kalimtar të janarit në horizont, është raportuar se ish-lojtari i Juventusit mund të kërkojë largimin nga Anglia në përpjekje për të luajtur më shumë.
Siç ka raportuar Foot Mercato, Chiesa është i joshur nga mundësia e rikthimit në Itali, atje ku Napoli i Antonio Contes po cilësohet si favorit për të siguruar shërbimet e tij.
Përveç Napolit, është sugjeruar gjithashtu se edhe Interi dhe Fiorentina do të ishin të interesuar për nënshkrimin e tij.
Këtë kërkesë thuhet se ia ka bërë personalisht përzgjedhësi i Italisë, Luciano Spalletti, i cili i ka kërkuar Chiesas të rikthehet përkohësisht në Serie A, nëse dëshiron që në të ardhmen të marrë ftesën nga kombëtarja.