Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ofroi dëmshpërblime për të gjithë forcën punëtore të saj të martën, duke deklaruar qëllimin e përafrimit të agjencisë me prioritetet e presidentit amerikan Donald Trump, sipas dy burimeve të njohura me çështjen, shkruan Reuters.
Zëdhënësi i CIA-s tha në një deklaratë se këto veprime synonin përshtatjen e agjencisë me objektivat e drejtorit të ri të CIA-s, John Ratcliffe.
“Drejtori Ratcliffe po ndërmerr hapa të shpejtë për të siguruar që forca punëtore e CIA-s t’i përshtatet prioriteteve të sigurisë kombëtare të administratës. Këto veprime janë pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse për të sjellë energji të re në Agjenci,” tha zëdhënësi i CIA-s në deklaratë.
Agjencia nuk e zbulon buxhetin dhe as numrin e personave që punëson. The Wall Street Journal ishte i pari që publikoi lajmin.
Raporti mbi ofertat e dëmshpërblimeve përputhet me transformimin masiv të qeverisë amerikane, të nisur nga administrata Trump, e cila ka pushuar dhe larguar qindra zyrtarë shtetërorë në hapat e parë për të ulur burokracinë dhe për të vendosur besnikët e saj.
Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë i ofroi 2 milionë punonjësve civilë federalë me kohë të plotë mundësinë për të ndaluar punën këtë javë, duke marrë pagë dhe përfitime deri më 30 shtator, ndërsa Trump synon të zvogëlojë madhësinë e qeverisë.
Më herët të martën, sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e qeverisë amerikane ngritën një padi për të bllokuar planin e administratës Trump për të ofruar kompensime për punonjësit federalë.
Ratcliffe, një ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve që shërbeu si drejtor i Inteligjencës Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trump-it, u konfirmua nga Senati amerikan si drejtor i CIA-s disa ditë pasi Trump mori detyrën për mandatin e tij të dytë.