Çiklisti shkupjan tha se edhe pse rruga ishte e vështirë, veçanërisht malet e Ballkanit e të Türkiyes dhe nxehtësia e thatësira nga Amani deri në Mekë, kënaqësia dhe dashuria që kanë marrë rrugës për në Mekë “nuk mund të përshkruhet me fjalë”
Qamuran Hirda, 57-vjeçari që udhëtoi nga Shkupi për në Mekë, është kthyer në Shkup përmes rrugës ajrore pasi udhëtoi 42 ditë me biçikletë drejt Arabisë Saudite për të përmbushur kushtin e pestë të Islamit, Haxhin, raporton Anadolu.
Qamuran Hirda, një alpinist dhe çiklist, u prit në Aeroportin e Shkupit nga familjarët e tij dhe anëtarë të Shoqatës Bjeshkatare Ekologjike “Shkupi”.
Duke folur për mediat pas mbërritjes në aeroport, Hirda e përshkroi udhëtimin si “sfidues”, por “më të mirin dhe më të ëmblin” që ka bërë deri më sot.
Çiklisti shkupjan tha se edhe pse rruga ishte e vështirë, veçanërisht malet e Ballkanit e të Türkiyes dhe nxehtësia e thatësira nga Amani deri në Mekë, kënaqësia dhe dashuria që kanë marrë rrugës për në Mekë “nuk mund të përshkruhet me fjalë”.
“Kudo që jam ndalur, kudo që kam shkuar, kam pasur shumë respekt dhe shumë nderë. Kudo që më kanë parë, këtë nuk mund ta harroj kurrë dhe do të mbetet për mua një kujtim jetësor, që pa e përjetuar atë ndjenjë nuk e di, por kur e përjetova e pash se sa njerëzit janë mirënjohës, sa njerëzit janë humanë, sa njerëzit ndihmojnë”, u shpreh Hirda.
Hirda, së bashku me 60-vjeçarin Adem Aljiq nga Graçanica e Bosnjë e Hercegovinës, udhëtuan me biçikleta përmes Bullgarisë drejt Türkiyes juglindore, nga ku me aeroplan kaluan në kryeqytetin Aman të Jordanisë për shkak të luftës në Siri dhe pjesën e mbetur të udhëtimit të tyre për në Mekë e vazhduan në biçikleta.
Hirda pohoi se pasi gëzonte shëndet të mirë do të mundej ta përshkonte edhe rrugën drejt Shkupit me biçikleta, por për shkak të kohës tashmë të gjatë larg vendlindjes vendosi të kthehej përmes rrugës ajrore.