SHBA e ndaloi për 24 orë plotësisht platformën TikTok, por presidenti i zgjedhur, Donald Trump tha se aplikacioni pritet “të kthehet online”.
Megjithatë, ka disa vende që ndërmorën hapa të shpejtë për ta ndaluar atë në pajisjet qeveritare në vitin 2023, nga frika se informacionet delikate mund të ekspozohen kur të shkarkohet aplikacioni.
Por pse është “i kërcënuar” TikTok?
TikTok është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë Bytedance, por ajo këmbëngul se drejtohet në mënyrë të pavarur dhe nuk ndan të dhëna me qeverinë kineze.
Megjithatë, shumë vende mbeten të kujdesshme në lidhje me platformën dhe lidhjet e saj me Kinën.
Këtu janë vendet dhe rajonet që kanë shpallur ose kanë zbatuar tashmë ndalime të pjesshme ose totale për aplikacionin.
Shqipëria
Shqipëria lëshoi një ndalim një vjeçar të TikTok në fund të vitit 2024.
Në dhjetor, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se faqja e mediave sociale do të bllokohej në fillim të vitit 2025, duke fajësuar platformën për rritjen e incidenteve të dhunës dhe bullizmit mes të rinjve.
Australia
Më 4 prill 2023, Australia ndaloi TikTok nga të gjitha pajisjet në pronësi të qeverisë federale për shqetësime sigurie, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Estonia
Në fund të marsit 2023, ministri në largim i IT dhe tregtisë së jashtme të Estonisë, Kristjan Järvan, i tha një gazete lokale se TikTok do të ndalohej nga telefonat inteligjentë të lëshuar nga shteti për zyrtarët publikë.
Mbretëria e Bashkuar
Më 16 mars 2023, Oliver Dowden, Sekretari i Shtetit i Mbretërisë së Bashkuar në Zyrën e Kabinetit, njoftoi në një deklaratë për Dhomën e Komunave të Mbretërisë së Bashkuar një ndalim të menjëhershëm të aplikacionit në pajisjet zyrtare të qeverisë.
Ndalimi bazohet në një raport të Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Mbretërisë së Bashkuar, i cili zbuloi se “mund të ketë një rrezik rreth mënyrës sesi të dhënat e ndjeshme të qeverisë aksesohen dhe përdoren nga platforma të caktuara”.
Institucionet e BE-së
Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së, tre organet kryesore të BE-së, të gjithë kanë ndaluar TikTok në pajisjet e stafit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kibernetike.
Ndalimi i Parlamentit Evropian hyri në fuqi më 20 mars 2023. Ai gjithashtu “rekomandoi fuqishëm” që anëtarët e parlamentit dhe stafi të heqin aplikacionin edhe nga pajisjet e tyre personale.
Franca
Më 24 mars 2023, qeveria franceze ndaloi instalimin dhe përdorimin e aplikacioneve “rekreative” si TikTok, Netflix dhe Instagram në telefonat e punës të 2.5 milionë nëpunësve civilë.
Ndalimi, i cili u njoftua me një udhëzim “detyrues”, ka hyrë menjëherë në fuqi dhe nuk vlen për telefonat personalë të punonjësve të shtetit.
Franca është vendi i parë që rrit përpjekjet për të ndaluar gjithashtu aplikacione të tjera “rekreative”, si Netflix, në pajisjet qeveritare.
Holanda
Ministria e Brendshme holandeze dekurajoi përdorimin e të gjitha aplikacioneve nga “vendet me një program kibernetik agresiv që synon interesat e Holandës” në telefonat e shpërndarë nga qeveria në mars 2023.
Ajo nuk e identifikoi TikTok me emër, por këshilla pasoi një vlerësim nga agjencia kombëtare e inteligjencës AIVD që paralajmëroi se aplikacionet nga vende të tilla si Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani mbartnin “një rrezik të shtuar të spiunazhit”.
Norvegjia
Më 23 mars 2023, parlamenti norvegjez ndaloi Tiktok nga pajisjet e punës, pasi Ministria e Drejtësisë e vendit paralajmëroi se aplikacioni nuk duhet të instalohet në telefonat e lëshuar për punonjësit e qeverisë.
Nëpunësve civilë iu tha se mund të përdorin akoma TikTok nëse është e nevojshme për arsye profesionale, por vetëm në pajisjet që nuk janë të lidhura me rrjetin e qeverisë, tha ministria.
Kryeqyteti i Norvegjisë Oslo dhe qyteti i saj i dytë më i madh, Bergen, u kërkuan gjithashtu punonjësve të bashkisë që të heqin TikTok nga telefonat e tyre të punës.
Belgjika
Më 10 mars 2023, Belgjika njoftoi se po ndalonte TikTok nga pajisjet në pronësi ose të paguara nga qeveria federale e Belgjikës për të paktën gjashtë muaj, duke përmendur shqetësimet për sigurinë kibernetike, privatësinë dhe dezinformimin.
Danimarka
Më 6 mars 2023, Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës njoftoi se do të “ndalojë përdorimin e aplikacionit në njësitë zyrtare” si një masë sigurie kibernetike.
Në një deklaratë, ministria tha se Qendra për Sigurinë Kibernetike e vendit skandinav – e cila është pjesë e shërbimit të inteligjencës së jashtme të Danimarkës – kishte vlerësuar se ekzistonte rreziku i spiunazhit.
Kanadaja
Më 6 nëntor, qeveria federale kanadeze urdhëroi TikTok të ndalojë operacionet e saj në vend për shkak të shqetësimeve për ndërhyrje të huaja.
Ministri i Inovacionit François-Philippe Champagne tha për mediat shtetërore se vendimi për mbylljen e dy zyrave të TikTok në Toronto dhe Vancouver erdhi nga këshillat e ekspertëve të sigurisë dhe inteligjencës kanadeze.
Kanadezët mund të hyjnë ende në TikTok dhe të krijojnë përmbajtje atje, por Champagne këshilloi që njerëzit ta bëjnë këtë duke e ditur se të dhënat e tyre të përdoruesit “mund të mblidhen” nga qeveria kineze.
Në shkurt, qeveria ndaloi TikTok nga të gjitha pajisjet e lëshuara nga qeveria, duke thënë se aplikacioni paraqet një rrezik “të papranueshëm” për privatësinë dhe sigurinë.
Punonjësit gjithashtu janë të bllokuar nga shkarkimi i aplikacionit në të ardhmen.
Kryeministri në largim Justin Trudeau tha në atë kohë se veprime të mëtejshme mund të pasojnë ose jo.
Zelanda e Re
Zelanda e Re njoftoi se TikTok do të ndalohet nga telefonat e ligjvënësve të qeverisë në fund të marsit 2023.
Ndryshe nga vendet e tjera si Britania e Madhe, ndalimi nuk prek të gjithë punonjësit e qeverisë dhe vlen vetëm për rreth 500 persona në kompleksin parlamentar.
Shefi Ekzekutiv i Shërbimit Parlamentar, Rafael Gonzalez-Montero tha se zyrtarët mund të bënin rregullime të veçanta nëse kishin nevojë për TikTok për të kryer detyrat e tyre demokratike.
India
Në vitin 2020, India vendosi një ndalim për TikTok dhe dhjetëra aplikacione të tjera kineze, duke përfshirë aplikacionin e mesazheve WeChat, për shqetësimet e privatësisë dhe sigurisë.
Ndalimi erdhi menjëherë pasi një përleshje midis trupave indiane dhe kineze në një kufi të diskutueshëm të Himalajeve vrau 20 ushtarë indianë dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Kompanive iu dha një shans për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi kërkesat e privatësisë dhe sigurisë, por ndalimi u bë i përhershëm në janar 2021.
Tajvani
Në dhjetor 2022, Tajvani vendosi një ndalim të sektorit publik për TikTok pasi FBI paralajmëroi se TikTok përbënte një rrezik për sigurinë kombëtare.
Pajisjet qeveritare, duke përfshirë telefonat celularë, tabletët dhe kompjuterët desktop, nuk lejohen të përdorin softuer të prodhuar në Kinë, duke përfshirë aplikacione si TikTok, ekuivalenti i tij kinez Douyin ose Xiaohongshu, një aplikacion kinez i përmbajtjes së stilit të jetesës.
Xiaohongshu, i njohur gjithashtu si RedNote, ka parë një fluks të madh përdoruesish pasi TikToker-ët u larguan nga platforma ndërsa ndalimi i SHBA po afrohej.
Pakistani
Autoritetet pakistaneze kanë ndaluar përkohësisht TikTok të paktën katër herë që nga tetori 2020, duke përmendur shqetësimet se aplikacioni promovon përmbajtje imorale.
Afganistani
Udhëheqja talebane e Afganistanit ndaloi TikTok dhe lojën PUBG në vitin 2022 me arsyetimin e mbrojtjes së të rinjve nga “mashtrimi”. /Telegrafi/