Çitaku për raportet Shqipëri-Kosovë: Mos krijoni gogola, e kam parë me sytë e mi Edi Ramën si e mbështetë Kosovën

Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka dhënë një koment për shfaqjen e raporteve të ftohta ndërmjet Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në samitin SEECP në Selanik të Greqisë.

Pa përmendur emrin e presidentes Osmani, Çitaku ka thënë se nuk duhet krijuar gogola dhe armiq të paqenë, duke shtuar se Edi Rama ka qenë mbështetës i Kosovës në situata jo të lehta.

“Edi Rama është Kryeministri që kanë zgjedhur Shqiptarët tash e tri herë me radhë. Sentimentet dhe preferencat personale pushojnë në momentin kur pranohet funksioni shtetëror. E raportet me Shqipërinë janë më të thella e më të fuqishme se çfarëdo mospajtimi i përkohshëm. Ne mund të mos pajtohemi me Kryeministrin Rama rreth një çështje, por pajtohemi për 99 tjera.  Kam qenë vet dëshmitare e shumë situatave jo të lehta për Kosovën, dhe e kam parë me sytë e mi, edhe e kam dëgjuar me veshët e mi, mbështetjen që i jep Kryeministri Rama Kosovës. Dorën në zemër, shpesh edhe me më shumë elokuencë se ne vet”, ka shkruar ajo.

“Pastaj, është për keqardhje që sot, në ditën e çlirimit të Kosovës po duhet me u’a përkujtu disave ndihmën e jashtëzakonshme që e ka dhënë Shqipëria për lirinë dhe pavarsinë tonë.  Mos krijoni gogolë. Mos krijoni armiq të paqenë.  Shqipëri, të kam”, ka shkruar në fund.

Kategoritë
LajmeVendi