Çka i bashkon “Shtëpinë Arabe” në Shkup dhe “Vijeçnica” në Sarajevë?

Në Ballkan, ekzistojnë dy ndërtesa që të kujtojnë arkitekturën andaluziane, e njohur gjithashtu si arkitektura e Rilindjes maure, “Shtëpia Arabe” në Shkup dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare (Vijećnica) në Sarajevë.

Në Ballkan, ekzistojnë dy ndërtesa që të kujtojnë arkitekturën andaluziane, e njohur gjithashtu si arkitektura e Rilindjes maure, “Shtëpia Arabe” në Shkup dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare (Vijećnica) në Sarajevë.

Për kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkupin, shpesh dëgjojmë se është një qytet që përfshin stile të ndryshme arkitekturore. Një qytet, në të cilin edhe sot gjenden ndërtesa nga e kaluara, të cilat janë dëshmitarë të heshtur të historisë së pasur të qytetit

Një nga ndërtesat e tilla është edhe e famshmja “Shtëpia Arabe”. E vendosur në qendrën të qytetit, e rrethuar me ndërtesa të shumta, ajo ende shquhet për arkitekturën e saj unike dhe fasadën plot ngjyra.

“Shtëpia Arabe” është vepër e arkitektit Ivan Artemushkin. Ai e ndërtoi atë në periudhën 1936-1938 me kërkesë të artistit armen të tekstilit Agor Dikidjian, i cili jetonte në Shkup, në shenjë dashurie për të dashurin e tij Agavni.

Karakteristikat arkitekturore

Kombinimi i formave gjeometrike të lehta dhe të errëta, vijat e kuqe mbi bazën e verdhë e tërheqin vëmendjen e kalimtarëve nga larg. Dritaret me harqe të thyera orientale i japin ndërtesës një tërheqje të veçantë. Ballkonet dekorative bien në sy në pjesën e përparme të ndërtesës dhe në rrethojat mbizotërojnë vijat gjeometrike, të cilat përdoren shpesh në arkitekturën islame.

Faqja e internetit “Marh” kushtuar promovimit të arkitekturës maqedonase, në tekstin e saj kushtuar analizës së arkitekturës së “Shtëpisë Arabe”, e krahason atë me pjesë të ngjashme me disa ndërtesa islame në mbarë botën. Korniza në formë parashute në pjesën e sipërme të shtëpisë është arkitekturë e Kajros dhe Afrikës së Veriut (shembull: Xhamia Al Azhar në Kajro, Egjipt). Harkat e thyera karakteristike për arkitekturën islame gjenden edhe në Xhaminë Ibn Tulum në Kajro, Egjipt, e ndërtuar në vitin 884. Vijat e kuqe horizontale në një sfond të verdhë thuhet se janë marrë si frymëzim nga Xhamia e Madhe e Kordobës.

Modelet karakteristike gjeometrike të “Shtëpisë Arabe”, të përdorura shpesh në arkitekturën islame, mund të gjenden në dyert e xhamisë Mustafa Pashë në Shkup, e ndërtuar në vitin 1492.

Elemente të huazuara nga arkitektura islame

Sipas këtyre karakteristikave, ndërtesa është bërë në stilin pseudo-maure, i cili u shfaq në shekullin e 19-të, i cili bazohet në arkitekturën arabo-maure nga Afrika e Veriut dhe Spanja. Në hapësirat e ballkanit, ajo u prezantua për herë të parë nga qeveria austro-hungareze në Bosnje e Hercegovinë.

Në Ballkan, ekzistojnë dy ndërtesa, arkitektura e të cilave të kujton arkitekturën andaluziane, e njohur edhe si arkitektura e Rilindjes maure ose arkitektura e re andaluziane. “Shtëpia Arabe” është pikërisht njëra prej tyre, ndërsa e dyta është një ndërtesë në Sarajevë. Bëhet fjalë për objektin “Vjećnica”, ku ndodhet Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Bosnjë e Hercegovinës.

Objekti “Vijećnica”, si një nga ndërtesat më të bukura dhe më përfaqësuese të periudhës austro-hungareze në Bosnje e Hercegovinë, u dogj në natën e 25-26 gushtit 1992, në fillim të rrethimit të Sarajevës. .

Pas luftës në periudhën 1992-1995, ajo u restaurua dhe u rihap në vitin 2014.

Stili pseudo-maure, i cili bazohet në arkitekturën arabo-maure nga Afrika e Veriut dhe Spanja, përdor elemente të huazuara nga arkitektura e largët islame (arabo-maure) dhe disa elemente evropiane, të cilat bëhen shenjë dalluese e asaj periudhe të historisë.

Shtëpia arabe, e cila sot nuk është në funksion, për një periudhë ka punuar si hotel “Jadran”, pas së cilës kjo zonë e qytetit mban emrin aktual “Sheshi Jadran”.

Për shkak të veçantisë arkitekturore, “Shtëpia Arabe” është shpallur monument historik i kulturës dhe rimodelimi i fundit i saj është bërë në vitin 1989.

Kategoritë
Kulturë