SHBA po përballet me një valë të re të gripit të shpendëve, e cila ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të vezëve. Rastet në rritje të infeksioneve kanë shtyrë autoritetet të shpallin “gjendje të jashtëzakonshme”.
Pas shpalljes së gjendjes emergjente, çmimet e vezëve në tregjet amerikane kanë arritur nivele të larta. Në Nju Jork, raftet me vezë shfaqen me etiketa çmimesh të larta, ndërsa qytetarët përballen me vështirësi gjatë procesit të blerjes.
Një nga rastet më shqetësuese është regjistruar në shtetin e Louisianës, ku një person është shtruar në spital pas infektimit me gripin e shpendëve. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), pacienti ishte mbi 65 vjeç dhe vuante nga probleme kronike shëndetësore. Pas infektimit, ai përjetoi vështirësi në frymëmarrje.
Ekspertët kanë konfirmuar se virusi është përhapur nga shpendët e mbajtur në oborrin e shtëpisë së pacientit. Testimet e kryera kanë identifikuar llojin e virusit si “D1.1”, i cili më parë është raportuar edhe në SHBA dhe Kanada si një variant që mund të kalojë te njerëzit.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime të mëdha për shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore në vend, ndërsa autoritetet dhe ekspertët po përpiqen të frenojnë përhapjen e mëtejshme të virusit dhe të minimizojnë ndikimet ekonomike të kësaj krize./Gazeta e Re