Çmimi i arit ka shkuar pranë 3000 dollarëve për ons, për shkak të blerjeve të shtuara nga bankat qendrore dhe shqetësimeve të investitorëve për rritjen ekonomike globale pas njoftimeve për tarifa të reja amerikane.
Kërkesa për investime në ar u rrit gjithashtu për shkak të rreziqeve gjeopolitike dhe luhatjeve të forta në tregjet financiare rajonale. Investitorët rifilluan blerjet në tremujorin e tretë të vitit pasi bankat qendrore nisën të ulnin normat kryesore të interesit, shkruan reuters.
Në fillim të këtij viti, nervozizmi u shtua pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për tarifat doganore. Dje, Trump tha se planifikon të vendosë tarifa prej rreth 25 për qind për importet e makinave, si dhe tarifa të ngjashme për gjysmëpërçuesit dhe produktet farmaceutike.
“Duket se rritja e çmimit të arit është nxitur nga deklaratat e Trumpit për tarifat ndaj veturave dhe ilaçeve, që mund të hapin rrugën për arritjen e nivelit prej 3000 dollarësh”, tha analisti i tregut në OANDA, Zaid Wanda.
Gjithashtu, çmimi i argjendit, i cili përdoret në komponentët elektrikë, u rrit me 0.4 për qind, duke arritur në 32.99 dollarë për ons. Ndërkohë, platina, e cila përdoret në katalizatorët e automjeteve, ra me 0.6 për qind, duke u tregtuar në 981.56 dollarë. Ndërsa çmimi i paladiumit (metal i rrallë dhe i shkëlqyeshëm argjend-bardhë) mbeti pothuajse i pandryshuar, në 987.75 dollarë.