Dabiqaj shkëlqen me tre gola, Drita mposht Llapin me përmbsyje spektakolare

Drita ka fituar ndeshjen ndaj Llapit me përmbysje 3-1, falë një ndeshje spektakolare nga Albert Dabiqaj që realizoi het-trik.

Vetëm pas 22 minutave lojë mysafirët nga Podujeva kaluan të parët në epërsi, kur Blend Baftiu realizoi me kokë pas asistimit nga Diar Vokrri për 0-1.

Drita rrezikoi me Arb Manajn dhe Blerim Krasniqin, por pa arritur golin në 45 minutat e para.

Kësisoj pjesa e parë u mbyll me epërsi 0-1 të llapjanëve.

Drita e nisi furishëm pjesën e dytë, kur në minutën e 51-të realizoi me Melos Zenunajn, por goli i tij u anulua nga VAR.

Bardhekaltërtit nga Gjilani nuk u ndalen, pasi në minutën e 69-të barazuan shifrat në 1-1 me golin e Albert Dabiqajt.

Dabiqaj nuk u ndal me kaq, pasi gjashtë minuta më vonë realizoi nga afërsia për përmbysjen e madhe të Dritës.

Në minutën e 92-të, Albert Dabiqaj u gjend bukur afër golit dhe pas asistimit të Arb Manaj realizoi për 3-1 duke kompletuar het-trikun.

Me tre golat e realizuar sot, Dabiqaj ka shkuar në kuotën e tetë golave në kampionat.

Drita vazhdon të kryesojë në renditjen tabelare me 31 pikë, pesë më shumë se Ballkani, ndërkohë Llapi është e teta në tabelë me 16 pikë.

Ndeshjen e ardhshme Drita luan derbin në udhëtim ndaj Ballkanit, derisa Llapi pret Ferizajn

Kategoritë
LajmeSport