Danimarkë, ekstremisti i djathë Paludan përsëri e dogji Kuranin para një xhamie

Lideri i Partisë së ekstremit të djathtë danez “Stram Kurs” (Linja e Rreptë), Rasmus Paludan bëri një tjetër provokim duke djegur Kuranin nën mbrojtjen e policisë përpara një xhamie në Danimarkë.

Lideri i Partisë së ekstremit të djathtë danez “Stram Kurs” (Linja e Rreptë), Rasmus Paludan bëri një tjetër provokim duke djegur Kuranin nën mbrojtjen e policisë përpara një xhamie në Danimarkë, raporton Anadolu Agency (AA).

Paludan, i cili dogji Kuranin para Ambasadës Turke në Stokholm më 21 janar në Suedi, ka kryer të njëjtin provokim këtë herë në Kopenhagë.

Paludan erdhi në fund të namazit të xhumasë në xhaminë e lagjes Dortheavej të Kopenhagës dhe e dogji Kuranin me helmetë në kokë nën mbrojtjen e policisë.

Duke parë muslimanët që dilnin nga namazi i xhumasë, Paludan u përpoq të tërhiqte vëmendjen duke tundur në dorë një material fyes kundër profetit Muhamed. Komuniteti i xhamisë e mbajti gjakftohtësinë ndaj provokatorit dhe të parët e xhematit i këshilluan besimtarët të qëndrojnë larg zonës për të shmangur provokimet.

Policia daneze mbylli rrugën për hyrje dhe dalje ndërsa mori masa të rrepta sigurie rreth xhamisë. Ndërkohë u pa se një grup të rinjsh muslimanë, të cilët kishin në duar ujë dhe aparate kundër zjarrit, ishin paralajmëruar gjithashtu nga policia.

Gjatë provokimit të Paludanit, jashtë xhamisë këndoheshin tekbire me altoparlantë. Lideri i ekstremit të djathtë u largua nga zona, ku qëndroi për rreth 40 minuta, sërish nën mbrojtjen e policisë.

“Ky është një provokim për pakicën muslimane daneze”

Halid al-Subeyhi, një vullnetar palestinez i xhamisë, duke folur për Anadolu Agency (AA), u përgjigj se ata janë mësuar me këtë situatë që nuk është hera e parë.

Duke thënë se Paludan e ka bërë këtë provokim para shumë xhamive në Danimarkë për më shumë se dy vjet, Subeyhi tha: “Mesazhi ynë për të është: ‘Mos e bëj këtë, kjo nuk është liri e shprehjes. Ky është provokim për pakicën muslimane daneze”.

Khalid al-Subeyhi tha se komuniteti musliman është i kujdesshëm që të mos bie në provokime. “Ai (Paludani) është një njeri i sëmurë. Ai dëshiron të provokojë muslimanët për të tërhequr vëmendjen”, tha Al-Subeyhi.

Sedat Güzel tha se ka ardhur në rajon për të parë incidentin. “99 për qind e qytetarëve danezë janë kundër provokimeve të Paludanit”, shtoi ai.

Paludan, në llogarinë e tij në rrjetet sociale dje njoftoi se do të djegë Kuranin para një xhamie në Danimarkë, si dhe para ambasadave turke dhe ruse, dhe se autoritetet daneze i kanë dhanë leje.

Djegia e Kuranit të Shenjtë nga Paludani në Suedi

Lideri i Partisë së ekstremit të djathtë danez “Stram Kurs” (Linja e Rreptë), Rasmus Paludan dogji Kuranin para Ambasadës së Türkiye-s në Suedi më 21 janar dhe askush nuk u lejua t’i afrohej Paludanit i cili ishte nën mbrojtjen e madhe të policisë.

Lejimi i qeverisë suedeze për djegien e Kuranit nga Paludani është dënuar nga shumë vende islame, veçanërisht nga Türkiye.

Gjithashtu lideri i lëvizjes Evropianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit (PEGIDA) në Holandë, Edwin Wagensveld grisi Kuranin në një aksion që e kreu i vetëm në Hagë.

Sulmet ndaj Kuranit në Suedi dhe Holandë u protestuan në shumë vende të botës veçanërisht në Türkiye.

Kategoritë
BotaLajme